Norvegjia proteston për golin e Bellingham, FIFA reagon pas episodit të diskutueshëm
Dritare.net

Futbolli modern, pavarësisht teknologjisë së avancuar dhe sistemeve të shumta të kontrollit, vazhdon të prodhojë episode të diskutueshme. Një i tillë ndodhi në sfidën Angli–Norvegji, ku goli i barazimit 1-1 nga Jude Bellingham është kthyer në qendër të debatit.
Gjithçka lidhet me një moment pak sekonda përpara golit. Pas rivënies nga portieri norvegjez Orjan Nyland, topi duket se prek kamerën ajrore “spidercam”, duke ndryshuar lehtë trajektoren e tij përpara se të rikthehet në fushë. Edhe pse devijimi ishte thuajse i padukshëm, norvegjezët pretendojnë se ai ndikoi në aksion.
Lojtarët e Anglisë përfituan nga situata, fituan topin dhe vetëm 8 sekonda më pas Bellingham shënoi për skuadrën e tij. Trajneri i Norvegjisë, Stale Solbakken, protestoi menjëherë pas ndeshjes, duke këmbëngulur se topi kishte prekur një objekt jashtë loje.
“Shumë njerëz në pankinë e kuptuan menjëherë. Topi ra nga qielli në një mënyrë të pazakontë. Për mua ishte e qartë që kishte pasur një prekje”, deklaroi Solbakken.
FIFA reagoi pas polemikave, duke publikuar pamjet e episodit dhe duke sqaruar se teknologjia e topit inteligjent nuk kishte regjistruar asnjë kontakt përpara prekjes nga futbollisti anglez. Sipas institucionit ndërkombëtar, sensori i topit nuk dha asnjë sinjal që të tregonte një devijim nga kamera ajrore.
Megjithatë, pretendimet e norvegjezëve kanë vazhduar në rrjetet sociale dhe në mediat e vendit. Për shumë tifozë, mbetet dyshimi nëse ai episod ndikoi realisht në rrjedhën e ndeshjes, duke e kthyer një moment të vogël teknik në një nga debatet më të mëdha të sfidës Angli–Norvegji./dritare.net