Ndahet nga jeta aktori dhe humoristi i njohur fierak Todi Llupi
Dritare.net

Arti dhe kultura shqiptare janë në zi pas ndarjes nga jeta, në moshën 78-vjeçare, të aktorit dhe humoristit të njohur Todi Llupi, një prej figurave më të spikatura të Estradës së Fierit.
Todi Llupi la pas një karrierë mbi pesëdhjetëvjeçare, gjatë së cilës u dallua për interpretimet e tij në skenë, rolet plot humor dhe karakteret autentike që mbetën gjatë në kujtesën e publikut shqiptar.
Ai u bë pjesë e Estradës së Fierit në vitin 1971 dhe interpretoi gjithashtu në disa filma artistikë. Veçanërisht u vlerësua për përdorimin mjeshtëror të dialektit myzeqar dhe mënyrën e veçantë të interpretimit, duke u kthyer në një nga emrat më të dashur të humorit shqiptar.
Për kontributin e tij në art dhe kulturë, në vitin 1989 Todi Llupi u nderua me titullin “Artist i Merituar”.
Ndarja e tij nga jeta shënon një humbje për skenën e humorit, për qytetin e Fierit dhe për artin shqiptar.