Na ndiqni edhe në

Opinione

Po ju, e doni Shqipërinë?

Nga Marenglen Kasmi

Ndez televizorin në mëngjes dhe dëgjon shtypin e ditës. Për tridhjetë minuta dëgjon treqind herë emrin Edi Rama, tre mijë akuza për tradhti kombëtare dhe tridhjetë mijë raste të reja korrupsioni, të gjitha të zbuluara gjatë natës. E kështu vazhdon gjithë dita: vjedhje e korrupsion në të gjitha mediat e portalet. Desh harrova kafenetë, pasi aty bëhet politika e madhe. Do të ishte një studim shumë interesant nëse dikush do të llogariste sa orë në ditë harxhojnë shqiptarët duke folur për politikë. Me siguri më shumë se njëzet e katër orë.

Pastaj vjen darka, me banaqet televizive dhe aty Edi Rama nuk është më thjesht kryeministër. Është fajtori universal, shkaku i çdo të keqeje që ka ndodhur, ndodh dhe do të ndodhë në Shqipëri.

Dhe kjo mesele vazhdon çdo ditë të perëndisë, me të njëjtën Shqipëri të vjedhur, të shitur, të kapur e të pashpresë.

E luajtët mendsh këtë popull! Po na mbushni mendjen se jetojmë në një çmendinë, prej së cilës duhet të ikim sa më parë.

Po po, ju opozita, ju mediat, ju analistët, me soj e sorollop!

Për një çast po ju ndjek edhe unë. Dakord, Edi Rama duhet të largohet. Po ai nuk ikën! Fundja, pse të ikë? Vetëm se sulmohet, akuzohet, shahet e mallkohet nga një grup i caktuar politik e shoqëror? Në Shqipërinë që përshkruani ju, gjithë fajin e ka Edi Rama. Dikur gjithë fajin e kishte Saliu. Tani edhe vetë Saliu thotë se gjithë fajin e ka Rama. Ec e mos i jep të drejtë beut të Konicës, kur shkruante se nuk e mori vesh asnjëherë Shqipërinë...

Pastaj vjen shpifja më e madhe, çka vulos gjithçka: “Edi Rama nuk e do Shqipërinë, po e shet. Ai është tradhtar, armik i shqiptarëve”. Madje, konspiracionistët thonë me siguri absolute “se Rama do ta fusë Shqipërinë në BE që ta boshatisë fare nga shqiptarët e ta mbushë me izraelitë, palestinezë, filipinezë, indonezianë etj. etj.”. Ka njerëz që mendojnë kështu vërtet, pasi kanë vite që dëgjojnë broçkulla të tilla ditë pas dite.

Po ju, e doni Shqipërinë?

Sinqerisht, kam filluar të dyshoj. Sepse ai që e do vendin e vet nuk zgjohet çdo mëngjes me misionin për t'u thënë shqiptarëve se jetojnë në ferr, ku gjithçka është vjedhur, gjithçka është kalbur dhe shkon keq e më keq, pasi “një djall” nuk i lejon, ndërkohë që shoqëria jonë e meriton parajsën, porta e së cilës kalohet vetëm nëse vijnë në pushtet kundërshtarët e qeverisjes aktuale.

A ju shkon ndonjëherë në mendje se po na shkalloni? Se një shoqëri e tërë zgjohet dhe fle nën breshëritë tuaja të përditshme të akuzave të pavërtetuara të krimit, tradhtisë kombëtare, vjedhjes e katastrofës? Hollë-hollë, mendoj se nuk e doni Shqipërinë aq shumë sa bërtisni e përbetoheni në emër të saj. Sepse, po ta donit, nuk do të na e helmonit jetën kështu, dita-ditës. Si mund të pështyhen publikisht kaq lehtë akuza kaq të rënda, ashtu si dikur farat e lulediellit në trotuar?

Dikush mund të pyesë se kush ma jep të drejtën të flas me këtë gjuhë.

E para, unë banoj e punoj në Shqipëri. Nuk e shoh atë nga Facebook-u dhe as nga banaqet televizive, por e jetoj çdo ditë. Shoh problemet e mëdha, korrupsionin mbytës, padrejtësitë e pafundme, varfërinë dhe njerëzit që ikin. Por shoh edhe diçka tjetër: Shqipëria po bëhet më e mirë.

Ngadalë, shumë më ngadalë nga sa do të doja, me gabime dhe jo gjithmonë siç duhet, por po bëhet. Kush është në moshë të mjaftueshme e di mirë se Shqipëria e sotme nuk është ajo e njëzet viteve më parë dhe se në shumë drejtime, nuk ka qenë asnjëherë si sot. Që ta pranosh këtë, duhet të jesh i ndershëm dhe racional në mendim.

E dyta, ju dëgjoj të flisni për tradhti kombëtare, shitje të atdheut, grabitje të pasurisë së shqiptarëve dhe krime. Akuza më të rënda se këto vështirë se mund t'i bëhen një qeverie. Po kallëzimet në institucionet e drejtësisë ku janë? Kështu si flisni, duhej që çdo ditë të depozitonit me dhjetëra denoncime ndaj qeverisë. Nëse i besoni vërtet ato që thoni, pse nuk shkoni në SPAK? Këtu nuk po flasim për një tender të dyshimtë, por për tradhti ndaj atdheut, shitje të Shqipërisë dhe krime kundër shqiptarëve. A ka diçka më të rënda se këto? Ju, patriotët e pilafit, pse nuk denonconi?

Apo ç'e deshe! Bëjmë gjyqe popullore! Më mirë një status, një konferencë shtypi dhe një orë shpifje e akuza badihava në televizor. Të nesërmen gjejmë një “tradhti” tjetër dhe vazhdojmë më tej, duke zbatuar strategjinë e vetë “nonës së demokracisë”, atij që “rrëzoi sistemin komunist dhe pruri demokracinë në Shqipëri”: “Shpif, shpif, se diçka do të mbetet!”. Pas kaq shumë vitesh kulturë shpifjesh, shpifja është bërë mullar.

E treta, Brukseli nuk e sheh Shqipërinë sikurse ju ua paraqisni shqiptarëve. Sipas jush, Shqipëria është një shtet i dështuar, pa institucione, pa demokraci dhe pa të ardhme. Fajtori dihet: Edi Rama. Demek, Rama e gjeti Shqipërinë në vitin 2013 “një ndër fuqitë më të mëdha ekonomike të rajonit, por e varfëroi dhe e çoi në gropë, duke ua falur pasurinë e shqiptarëve të huajve.”

Po si dreqin shpjegohet atëherë që Bashkimi Europian sheh një Shqipëri tjetër? Si shpjegohet që jemi më pranë anëtarësimit se kurrë, që kapitujt e anëtarësimit po mbyllen dhe partnerët euroatlantikë na trajtojnë si partner të besueshëm? Si shpjegohet që ai vlerëson reformat e kryera nga kjo qeverisje?

Pse atëherë “revolucioni i flamingove”, që sipas jush do të trondiste Europën, se Shqipërinë po e po, u injorua krejtësisht prej saj? Nuk pati tërmet diplomatik, alarm europian apo klithma rrëqethëse për shpëtimin e Shqipërisë.

Ndërkohë, sapo u konfirmua në samitin e NATO-s në Turqi se samiti i ardhshëm do të zhvillohet në Shqipëri. Një lajm i jashtëzakonshëm, që në çdo vend normal do të ishte kryefjala e javës. Po te ne?

Opozita, banakët televizivë etj. u morën me lidhësen e majtë të atleteve bardhoshe të Edi Ramës, e cila ishte dy centimetra më e shkurtër se e djathta dhe Presidenti Trump nuk e vuri re hiç fare. O Zot, na ruaj mendjen!

Një fjalë edhe për ty, opozitë, e madhja dhe e vogla. Nuk u poqe dot. Asnjëherë! Dhe, për fat të keq, nuk ke as shenja se do të piqesh. Pas kaq humbjesh e dështimesh radhazi, nuk mësove parimin më elementar të opozitarizmit: nuk fitohet duke qëlluar me gurë gjithçka vetëm sepse në krye të qeverisë është kundërshtari yt. Detyra jote është ta kapësh qeverinë aty ku gabon, të denoncosh korrupsionin me fakte, të nxjerrësh dokumente, të mbrosh interesin publik dhe, mbi të gjitha, të ndërtosh një alternativë. Jo të na nxish faqen në anglisht, në Bruksel e në çdo kancelari europiane, duke eksportuar akuza e shpifje të paprovuara ndaj Edi Ramës, me shpresën se të huajt do të bëjnë për ty atë që ti nuk arrin ta bësh me votë në Shqipëri. Harroni se, kur flisni në forumet europiane, flisni për Shqipërinë dhe jo për Edi Ramën!

Shqiptarët dëgjojnë, shohin e vlerësojnë. Kjo nuk do të thotë se janë të kënaqur me gjithçka apo se janë të dashuruar me Edi Ramën dhe nuk ia shohin gabimet. Ia matin suksesin dhe mossuksesin, e lavdërojnë, e shajnë, ankohen dhe e kritikojnë. Pastaj hedhin sytë nga ju dhe nuk shohin asgjë! Shohin veç maraz e dëshirë të pakufizuar për të ardhur në pushtet. Madje, edhe sikur vendi të digjet e anëtarësimi në BE të shtyhet, për ju nuk prish punë. Mjafton të largohet Edi Rama.

Po flas edhe për ju, gazetarë, analistë dhe pronarë mediash. Sigurisht, jo për të gjithë.

Si ju zë gjumi kur fabrikoni e fabrikoni lajme, shpifje, hamendësime e akuza të pakonfirmuara e të pabaza, të cilat, në thelb nuk bëjnë asgjë tjetër veçse krijojnë bindjen te shqiptarët se ky vend është i pajetueshëm e pa të ardhme? Ama, po të japë dorëheqjen Rama, gjithçka rregullohet si me magji.

Nga ju pritet kritika dhe nxjerrja e fakteve që e vendosin qeverinë me shpatulla pas muri, jo të hidhet fall sikur shikon filxhanin e të shfryhet urrejtje. Si mund të flasë, për shembull, një opinionbërës me një vetësiguri të admirueshme se “Rama e di këtë e atë, por nuk e bën se ka frikë nga kjo e nga ajo, se ai mendon kështu...”, a thua se është në mendjen e tij?

Kjo nuk është analizë. Kritikë jo e jo. Apo kjo nuk ka rëndësi, për sa kohë ka klikime, audiencë, reklama dhe... shpresë se po e detyroni Edi Ramën të japë dorëheqjen?

Po ju, analistët e përhershëm gjithologë, që prej vitesh flisni me të njëjtin mllef e siguri dhe bëni të njëjtat parashikime katastrofike, nuk u lodhët? Disa prej jush llafollogjia i ka pasuruar. E vetmja punë që bëni është të jepni opinione çdo darkë, si te kafja e lagjes. Ju lutem, mos më keqkuptoni! Jo të gjithë janë të tillë.

Çfarë keni ndërtuar? Çfarë keni lënë pas, përveç mijëra orëve televizion dhe një Shqipërie që, sipas jush, ka tridhjetë e pesë vjet që po lëngon dhe ende nuk po jep shpirt?

Dhe, së fundmi, edhe Edi Rama të mos bëjë viktimën. Edhe ai ka fajet e kusuret e veta, pasi populli thotë se “kur ha bukë, do të bësh edhe thërrime”. Të jesh në mandatin e katërt qeverisës do të thotë të kesh mbledhur jo pak pakënaqësi ndaj teje dhe qeverisjes tënde. Akuzohesh se ke gabuar, ke qenë arrogant dhe e ke përqendruar pushtetin në duart e tua më shumë seç duhet. Shpesh ke zgjedhur talljen në vend të transparencës së nevojshme. Sigurisht që për të gjitha këto do të japësh llogari në zgjedhjet e vitit 2029, ndonëse prova e parë do të jetë në zgjedhjet lokale të vitit tjetër. Vota do ta tregojë.

Por ama ka diçka që nuk mund të mohohet, ndonëse pakkush e shpreh atë publikisht. Një pjesë se nuk i intereson ta pranojë këtë gjë dhe pjesa tjetër, ndoshta se ka frikë nga sulmet e bullizimi në rrjetet sociale. Edi Rama, mirë a keq, po përpiqet të arrijë një objektiv shumë të madh: anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian. BE nuk të pranon në radhët e saj as për hatër, as për inat të opozitës dhe as për simpati të atletikeve bardhoshe të kryeministrit Rama.

Anëtarësimi në BE nuk është vetëm qëllimi i Edi Ramës dhe as pronë e Partisë Socialiste. Është një objektiv madhor i Shqipërisë dhe i shqiptarëve. Janë bërë reforma të rëndësishme në qeverisje e administratë, është përafruar legjislacioni me atë europian dhe është bërë një punë që po të jemi të ndershëm, nuk mund të mohohet.

Por ju nuk keni pse të jeni me Edi Ramën. Nuk keni pse ta doni dhe as ta votoni. Luftojeni politikisht, kritikojeni, sfidojeni në zgjedhje, po të keni këllqe. Por mos qëlloni me gurë çdo të mirë të përbashkët që është arritur, vetëm sepse mendoni se duke sharë “Shqipërinë e Ramës” do dëmtoni Edi Ramën. Ai do të ikë një ditë. Shqipëria do të mbetet.

Po ju, çfarë po ndërtoni?

Jam i bindur se edhe ju e dini se Shqipëria e sotme nuk është ajo e djeshmja. E shihni, e prekni dhe, për hir të së vërtetës, shumë prej jush jetoni jo thjesht më mirë, por shumë më mirë se dje. E megjithatë, çdo mëngjes rifilloni nga e para: “Shqipëria u shit, Shqipëria u vodh, Shqipëria po vdes”. Dhe pastaj pyesni pse shqiptarët humbasin besimin te vendi i tyre dhe ikin.

Po kush ua mbushi mendjen se këtu nuk bëhet? E pyesni veten ndonjëherë se çfarë shkaktoni me fjalët tuaja? Apo punë e madhe: le të ikë Rama, pa në djall të vejë kjo punë. Harroni a nuk harroni, nuk di ta them, por një rrugë e bërë keq, rregullohet, një ligj i keq ndryshohet dhe një qeveri që dështon, zëvendësohet, kur i vjen koha. Me votë! Ama një brez të cilit i ke mbushur mendjen se vendi i tij nuk vlen, ai ikën dhe shumë prej tyre nuk kthehen më.

Prandaj, herën tjetër kur ta quani Edi Ramën “tradhtar”, “armik të shqiptarëve” dhe “shitës të Shqipërisë”, shihuni një herë në pasqyrë dhe pyesni sinqerisht veten: Po unë, e dua Shqipërinë?/dritare.net