Jeta e një mjeshtri të madh! Pamjet ekskluzive të Agron Aliajt nga Stefan Gajo!
Dritare.net

Në episodin e tretë të dokumentarit Kamera e Gjyshit, në DritareTV, mjeshtri i fotografisë Stefan Gajo sjell jetën dhe kontributin e koreografit të njohur Agron Aliaj, një figurë e rëndësishme e baletit shqiptar.
Stefan Gajo rrëfen se takimi i parë me Agron Aliajn ka qenë në vitin 1972, gjatë regjistrimeve të baletit “Halili dhe Hajria” të Panajot Kanaçi, ndërsa bashkëpunimi i tyre vijoi edhe pas viteve ’90 në realizimin e spektakleve televizive.
Në dokumentar shfaqen edhe pamje të rralla, ku vetë Agron Aliaj flet për figurën e koreografit Rexhep Çeliku, duke e vlerësuar si një fenomen në koreografinë shqiptare:
“Për mua fenomeni Çeliku në koreografinë shqiptare ka një rëndësi të veçantë, sepse ai mbart të gjitha vetitë më të bukura të artistëve të shquar shqiptarë, si të koreografëve, ashtu edhe të solistëve në balet. Çdo gjë që do shikoni në këtë spektakël, në këtë recital të Gjem Çelikut, është mundi dhe djersa e tij. Kërkimet që ai ka bërë dy vjet rresht janë mbështetur në ritmikën popullore, në këngën dhe vallet e popullit.
Prandaj puna që kam bërë me Rexhep Çelikun ka qenë një kënaqësi për mua, sepse kam parë vazhdimësinë e koreografisë shqiptare. Kam parë tek ai vetitë e njeriut të fuqishëm, shumë të talentuar dhe me një vullnet të çeliktë për të arritur qëllimet e veta.”

Episodi i tretë i “Kamera e Gjyshit” vjen si një homazh për Agron Aliajn dhe për kontributin e tij në artin e baletit shqiptar, përmes xhirimeve të rralla dhe kujtimeve të ruajtura ndër vite nga Stefan Gajo./dritare.net