Na ndiqni edhe në

Opinione

Skënder Minxhozi: Në pritje të partisë së atyre që s’duan as Ramën, as Berishën

Nga Skënder Minxhozi

Tashmë flamengot kanë mbetur një kujtim egzotik në protestën ditore të Tiranës. 140 kilometra më tutje në qytetin e Vlorës, “atdheun” real të flamengove, nuk ka ende sot pas dy javësh nga nisja e protestave, asnjë shenjë serioze rebelimi kundër qeverisë. Është shenja e sigurt se vetë protesta e ka braktisur shtratin mbi të cilin lindi e mori hov dhe po shkon drejt hapjes së diapazonit të objektivave të saj. Kërkon kokën e Edi Ramës, jo mbrojtjen e pelikanëve.


Ndërkohë ata që protestojnë janë në kërkim të një lidershipi për barrën e rëndë të kauzave e sfidave që kanë deklaruar. Më e para fare, ajo e largimit të Edi Ramës dhe qeverisë së tij. Menjëherë pas saj ndëshkimi “me burg” i dy liderëve politikë më jetëgjatë, dyshes Rama-Berisha. Pra me fjalë të tjera rrëzimi i sistemit politik siç ne e njohim qysh nga dita e parë e pluralizmit politik në vitin e largët 1990.


Në Shqipëri ndodhemi këto ditë përballë një fenomeni i cili natyrshëm ka brenda një pakënaqësi të akumuluar për elitën politike shqiptare, e konkretisht për maxhorancën 13 vjeçare të Partisë Socialiste. Është prova më e dukshme e më agresive e konsumit të një qëndrimi të gjatë në pushtet.
Më gjerësisht akoma, kjo lëvizje ekspozon mërinë që është akumuluar në një pjesë të shoqërisë shqiptare ndaj elitave politike të tre dekadave të fundit. Është një fenomen edhe ky shumë i njohur jashtë Shqipërisë, kryesisht në demokracitë perëndimore, ku qëndrimi i gjatë në karrierë i figurave politike shihet si një defekt themelor i lidhur me cilësinë e funksionit të tyre si drejtues apo menaxherë publikë ose partiakë.


Në rastin e protestave shqiptare gjejmë në fakt një ndërthurje elementesh të cilat kanë sjellë ujë deri tani tek ai shesh ku protestuesit mblidhen çdo ditë, të shumtë dhe të zhurmshëm. Përtej aspektit fillestar ambjentalist kjo protestë është në planin e brendshëm një reagim i fortë antiqeveritar, ashtu siç është në planin e jashtëm një vëmendje dhe pasqyrim që ka në bazë antipatinë e medias dhe politikanëve të huaj anti-Trump.

Kush i ka ndjekur protestat nga dita e parë, kupton se një masë jo e vogël shqiptarësh protestojnë kundër arrogancës dhe mungëses së transparencës së shtetit, por edhe ndaj krizës ekonomike, rritjes së çmimeve e korrupsionit. Kush merr në dorë ndërkohë celularin e nis të shohë mediat e mëdha perëndimore që raportojnë për protestën kupton nga ana tjetër se vëmendja fokusohet tek dhëndrri i Donald Trump dhe e shoqja, pa neglizhuar edhe elementin e ekspansionit të supozuar izraelit që ka marrë përmasë muajt e fundit në lajmet/thashethemet që vijnë për vende si Qipro, Greqia dhe Shqipëria.

Deri tani protesta ka përfituar nga të gjitha këto prurje të ndryshme mes tyre, duke marrë përmasë dhe dimensione megjithë kundërshtitë, rivalitetet e zënkat e njohura mes personave që e drejtojnë pas perdeve. Një larushi të rinjsh të demoralizuar, familjesh në vështirësi ekonomike, aktivistësh, shoqatash të lidhura me lloj-lloj financimesh të huaja, operativë politikë të Albin Kurtit dhe opozitarë demokratë të kamufluar po i japin jetë një proteste që kujtohej e pamundur në Shqipërinë e fjetur të dy partive të mëdha. Algoritmi i rrjetit social dhe organizimi e financat që ofrojnë shumë duar mesa duket bëjnë çudira, aq sa momentalisht emigrantë nga diaspora janë gati të marrin avionin më të parë “për të shpëtuar Shqipërinë” që po shitet, megjithëse s’kanë vënë kurrë këmbën në Sazan dhe nuk e dinë se ku bie Narta apo Zvërneci. Aq më pak dinë se çfarë po ndodh me saktësi, por “kështu kanë dëgjuar e lexuar në rrjetet sociale”.

Të dielën në darkë protesta pati çarjen e parë pasi turma mori rrugën drejt Rinasit. Orët që pasuan treguan sesa kollaj është që protestuesit të sherrosen e të tregojnë me gisht njëri-tjetrin si tradhëtarë e spiunë të qeverisë.

Protesta e ka përmbushur misionin e saj emancipues, pasi ka nxjerrë në sheshe edhe një kategori qytetarësh që rëndom ishin te distancuar nga procesi politik dhe shiheshin si abstenues në zgjedhje.

Tani protestuesve iu takon të përballen me misionin më të vështirë. Të kthejnë në realitet konkret programor dhe konkurues tapetin e ëndrrave që kanë shtrirë në bulevardin qëndror të Tiranës.

Duhet pranuar se në 35 vite pluralizëm fabula politike dhe partiake parashihte vetëm dy parti kryesore. Duhet të ishe ose votues i njërës ose i tjetrës (pa llogaritur abstenuesit).

Sot ndodhemi në një realitet krejt të ri dhe këtë po e dëshmon qartë kjo protestë. Ka një sektor të konsiderueshëm të votuesit shqiptar i cili nuk do as njërën dhe as tjetrën forcë politike historike. Janë kryesisht të rinjtë që nuk e njohin fare historinë e 30 viteve të fundit (imagjinoni atë më të hershmen) dhe që i shohin Ramën dhe Berishën si dy prezenca të vjetra e të bezdisshme në krye të punëve, të cilat kanë vokacionin por jo përgatitjen që t’i drejtojnë vetë një ditë. Kjo turmë e di që nuk ndjehet mirë, por nuk e ka shumë të qartë se çfarë i dhemb dhe mbi të gjitha sesi shërohet bezdia dhe sikleti që ndjen. Të vërtetat e merr nga rrjeti e jo nga librat, për pasojë edhe kauzat që mbron i ka shpesh të mbushura me teori konpsirative dhe rrena banale të internetit.

Megjithatë një demokraci që funksionon mbi bazën e delegimit të pushtetit nuk korigjohet thjesht nga protestat. Ato e ndihmojnë shoqërinë të fokusohet dhe të drejtojë shikimin, por janë zgjedhjet mekanizmi që prodhon pushtet dhe zbatim programesh qeverisëse. Tashmë protesta duhet të prodhojë jo vetëm sherrin banal se nga duhet të shëtisin në errësirë pas orës 9, por të shpalosë veten se çfarë planesh ka dhe cilët persona do të delegojë për të zbatuar këto plane. Ka ardhur koha të shohim partinë realisht të re që pretendon të ndërpresë trashëgiminë 35 vjeçare të dypartitizmit PS-PD.

Një sfidë e rëndë ku kanë dështuar shumë burra të zotë në këto dekada. A do të jenë këta protestues të parët që do t’ja arrijnë? A do të mjaftojë sharmi i pretenduar që ka krijuar kjo protestë me qytetarinë dhe karrocat me fëmijë, për t’i dhënë këtij formë këtij projekti historik? Emrat që janë parë aty-këtu (megjithëse s’ka asgjë të sigurt deri tani) janë më shumë një listë e improvizuar personash që ju njihet emri dhe profesioni, sesa një brez alternativ pushteti që do të shkundin Ramën dhe Berishën nga poltronat 35 vjeçare. Precedenti që të vjen ndërmend është dhjetori i vitit ’90, por me shumë skonto.

Nëse është tallur e ironizuar fjala vjen PS për rekrutime deputetësh të rastësishëm si këta që këto orë po japin dorëheqje, e njëjta gjë vlen edhe për listat e përfolura të drejtuesve të nesërm të forcës politike që thuhet se do të prodhojë protesta. Nëse realisht ky hap pasardhës do të kishte këtë brumë, protestuesit më mirë të rrinë kështu siç janë, dinamikë, kaotikë dhe të hareshëm, që nuk dinë nga cila rrugë e Tiranës do i çojnë këmbët pas orës tetë të darkës. Kjo po që ka romantikë dhe idealizëm brenda./javanews