Na ndiqni edhe në

Gatuaj në Dritare

Shkodra e ëmbël, nga Haxhimakullja e dasmave te Trungu i kujtimeve!

Shkodra e ëmbël, nga Haxhimakullja e dasmave te Trungu i kujtimeve!

Në zemër të Shkodrës, qytetit ku kultura dhe tradita bashkëjetojnë në çdo rrugicë, një udhëtim i jashtëzakonshëm kulinar zbulon sekretet e ëmbëlsirave që kanë shënjuar gëzimet familjare ndër breza.

Nga rrugicat e Gjuadolit e deri te punishtet që mbajnë gjallë shijen e vjetër, ky reportazh i gazetares Rudina Xhunga na njeh me dy emblema të pastiçerisë shkodrane: Haxhimakulljen dhe Trungun, duke rrëfyer jo vetëm recetat, por edhe historitë njerëzore të atyre që i përgatisin. Ndalesa e parë është te 'Pastiçeri Flo', një vend ku historia e emigracionit gërshetohet me dëshirën për të ruajtur rrënjët. Këtu, Haxhimakullja nuk është thjesht një ëmbëlsirë; është një institucion.

E njohur si ëmbëlsira e dasmave dhe fejesave, ajo mbart peshën e gëzimit shkodran. Përmes bisedës me Ildën, pronaren e cila pas 11 vitesh në Brooklyn të SHBA-së vendosi të rikthehej në vendlindje, kuptojmë se investimi në traditë është forma më e lartë e patriotizmit. Ajo dhe bashkëshorti i saj sollën përvojën e Amerikës për të ringritur një biznes që nderon shijen lokale. Sekreti i kësaj ëmbëlsire, siç zbulohet gjatë emisionit, ruhet me fanatizëm nga 'Teze Myzi', një zonjë e vjetër shkodrane, recetën e së cilës e kërkojnë të gjithë. Përbërësit janë të thjeshtë, miell, vezë, gjalpë i shkrirë (tlyn), dhe bajame, por teknika dhe dashuria, siç thotë Bardha, kuzhinierja e pasionuar, bëjnë diferencën.

Shkodra e ëmbël, nga Haxhimakullja e dasmave te Trungu i kujtimeve!

Haxhimakullja shkodrane qëndron krenare krah bakllavasë, duke sfiduar kohën dhe duke mbetur një simbol i mikpritjes.

Shkodra e ëmbël, nga Haxhimakullja e dasmave te Trungu i kujtimeve!

Në anën tjetër të spektrit historik dhe të shijes, qëndron 'Trungu', një ëmbëlsirë që, siç mësojmë te 'Pastiçeri Eagle' (Igëll), i përket një epoke tjetër, asaj të socializmit, por që i ka mbijetuar ndryshimeve sistemike falë mjeshtërisë.

Adi, mjeshtri i ëmbëlsirave, na tregon se si kjo recetë është trashëguar nga mjeshtrat e vjetër si Filip dhe Mark Poja. Trungu është një vepër arti që kërkon durim: nga rrahja e pandispanjës së butë, përgatitja e kremit specifik me gjalpë dhe sheqer pluhur të bluar në moment, e deri te dekorimi që imiton lëvore e pemës.

Historia e kësaj pastiçerie është gjithashtu prekëse; ajo nis në vitin 1991, kur babai i Adit, Z. Ademi, në një rrugicë të Stambollit, bleu me kursimet e fundit një makinë akulloreje, duke hedhur themelet e një biznesi që sot edukon brezin e tretë, vajzën e Adit, Erikën. Ky reportazh është dëshmi se ëmbëlsirat në Shkodër nuk janë thjesht ushqim. Ato janë 'dashni', janë kujtesë historike dhe ura lidhëse mes të shkuarës dhe të ardhmes. Shkodra vazhdon të gatuajë historinë e saj, duke e ëmbëlsuar jetën e çdo vizitori që ndalon për të shijuar një copëz tradite./K.C/dritare.net