Evropa nën pushtetin e vapës ekstreme. Si po i përballojnë vendet temperaturat rekord
Dritare.net

Ashtu si Mbretëria e Bashkuar, edhe shumë vende të Evropës po përjetojnë temperatura ekstreme këtë javë. Kontinenti është përfshirë nga një valë e fortë të nxehti, me rekorde temperaturash që pritet të thyhen në ditët në vijim.
Ja si po reagojnë disa vende evropiane:

Holanda
Amsterdami ka krijuar pika të posaçme freskimi në biblioteka, teatro, qendra komunitare, kisha dhe supermarkete, ku qytetarët mund të gjejnë ujë, vende për t'u ulur dhe ambiente të freskëta. Edhe shkollat kanë ndryshuar oraret, duke shkurtuar mësimin dhe duke shtuar pushimet për shkak të vapës.

Francë
Në Paris, të rinjtë nën 25 vjeç dhe personat mbi 65 vjeç mund të përfitojnë bileta falas për kinema me ajër të kondicionuar. Në disa qytete, muzetë janë falas, ndërsa në Nantë disa shkolla kanë lyer dritaret me një përzierje shkumësi për të ulur temperaturën brenda klasave.

Spanjë
Qytete të ndryshme kanë ulur ose hequr tarifat për pishinat publike. Janë aktivizuar shatërvanët dhe spërkatësit me ujë në hapësirat publike, ndërsa disa festa tradicionale me zjarre janë anuluar për shkak të rrezikut të lartë të zjarreve. Ligji spanjoll gjithashtu mbron punëtorët që punojnë në ambiente të hapura gjatë vapës ekstreme.

Itali
Mbi një duzinë qytetesh janë nën alarm të kuq për temperaturat e larta. Qeveria ka rikthyer masat mbështetëse për punëtorët e ekspozuar ndaj vapës, duke u lejuar disa biznese të pezullojnë aktivitetin dhe punonjësit të përfitojnë pagesa nga shteti. Autoritetet këshillojnë qytetarët të qëndrojnë në ambiente të freskëta, ndërsa Ministria e Shëndetësisë rekomandon të konsumohen më shumë makarona dhe ujë, duke shmangur alkoolin dhe kafenë.

Belgjikë
Temperaturat pritet të arrijnë nivele rekord. Disa trena të vjetër pa ajër të kondicionuar janë tërhequr përkohësisht nga qarkullimi, ndërsa disa nxënës kanë zhvilluar provimet në kisha, ku temperaturat janë më të ulëta.

Gjermani
Parashikohen temperatura deri në 40°C në disa rajone. Punonjësit e postës janë lejuar të veshin pantallona të shkurtra, ndërsa autoritetet kanë paralajmëruar për rrezikun e lartë të zjarreve në pyje dhe të mbytjeve gjatë larjes në liqene e lumenj. Gjithashtu është hapur një linjë telefonike për këshilla shëndetësore lidhur me të nxehtin./dritare.net