24 ditë protestë, nis marshimi drejt Kryeministrisë!
Dritare.net

Protesta në sheshin “Skënderbej” ka hyrë në ditën e saj të 24-ët, ndërsa qytetarët janë mbledhur sërish për të vijuar marshimin tradicional drejt Kryeministrisë. Para nisjes së protestës, një pjesë e pjesëmarrësve u grumbulluan në shesh, ndërsa në një zonë pranë statujës së “Skënderbeut” u vu re edhe prania e tifozëve që po ndiqnin ndeshje sportive në ekran.
Një ditë më parë, grupi organizator i protestës publikoi një sërë kërkesash drejtuar qeverisë, të cilat u lexuan nga ish-luftëtari i UÇK-së, Dritan Goxhaj.
Mes kërkesave kryesore përfshihet dorëheqja e menjëhershme e kryeministrit dhe qeverisë, krijimi i një qeverie teknike tranzitore me mandat 12-mujor, si dhe ndryshime kushtetuese përmes referendumit popullor, që sipas organizatorëve synojnë barazi më të madhe ligjore dhe reforma në sistemin zgjedhor dhe financimin e partive politike.
Po ashtu, protestuesit kërkojnë anulimin e ndryshimeve ligjore për zonat e mbrojtura dhe trashëgiminë kulturore, shfuqizimin e “Paktit të Maleve” dhe të statusit për investimet strategjike, si dhe hartimin e një kontrate të re sociale mes qytetarëve dhe shtetit.
Organizatorët kanë deklaruar se protesta do të vijojë në mënyrë paqësore deri në përmbushjen e kërkesave të tyre./K.C/dritare.net