A ka bagëti në Shqipëri? Ja çfarë thonë fermerët!
Dritare.net

Debati mbi cilësinë e qumështit në Shqipëri rikthehet shpesh në publik, sidomos rreth përdorimit të mundshëm të qumështit pluhur apo vajit të palmës nga industria përpunuese. Por zonja që drejton Lufrën, Antoneta Ndreka dhe vetë fermerët thonë se realiteti në terren është ndryshe: prodhimi vendas është i bollshëm dhe, sipas tyre, përdorimi i zëvendësuesve nuk ka as logjikë ekonomike.
Sipas përpunuesve, qumështi pluhur në tregjet ndërkombëtare shpesh kushton më shtrenjtë sesa qumështi i freskët që grumbullohet nga fermerët shqiptarë, sidomos kur përfshihen transporti dhe doganat. Për më tepër, ai zakonisht është i skremuar dhe kërkon shtimin e yndyrave të tjera për të arritur standardet e produkteve të tregut.
“Kur unë nxjerr një produkt në treg, dua që klienti të jetë i sigurt që po blen qumësht natyral. Produkti është në treg, kushdo mund ta marrë dhe ta analizojë. Madje jam i gatshëm ta paguaj analizën”, shprehet zonja Ndreka për DritareTV. Sipas tyre, nëse do të përdorej qumësht pluhur, kjo do të deklarohej detyrimisht në etiketë, pasi standardet ligjore e kërkojnë transparencën e plotë të përbërësve.
“Normalisht aparati tregon përbërësit. Nëse do të fusja qumësht pluhur, duhet ta deklaroj. Nëse nuk e përdor, nuk është aty. Qumështi i fermave tona është cilësor: 8.7 lëndë e thatë, 4% yndyrë, me proteina, për çfarë duhet të përdoret qumështi pluhur? Nuk ka nevojë. Unë blej qumësht nga fermeri me çmim normal dhe me yndyrë të plotë. E përdor për prodhime të ndryshme. Qumështi pluhur nuk më nevojitet.”

Një tjetër argument lidhet me furnizimin. Erion Leçini nga Ferma Leçini në Gosë të Kavajës thotë se sot konsumatori kërkon vetëm qumësht lope, jo pluhur. Ne, thotë Erioni, kemi aq shumë qumësht sa shpesh nuk po e përballojmë dot përpunimin, duke shtuar se vitet e fundit kanë investuar drejtpërdrejt te fermat për të rritur prodhimin dhe cilësinë.

Lopë ka, por janë përqendruar në ferma më të mëdha
Edhe fermerët kundërshtojnë idenë se në Shqipëri mungojnë lopët apo qumështi. Sipas tyre, ajo që ka ndryshuar është struktura e blegtorisë: më pak ferma shumë të vogla dhe më shumë ferma të mëdha e të teknologjizuara.
Një nga shembujt është ferma “Vjen SHPK”, në Tërbuf, të Divjakës, që ka kaluar nga rreth 150 krerë në vitin 2005 në rreth 1400 sot. Sistemet moderne të mjeljes dhe monitorimit digjital lejojnë kontroll të detajuar të shëndetit dhe prodhimit të çdo kafshe.
“Mesatarisht një lopë sot jep rreth 30–32 litra qumësht në ditë, ka që arrijnë edhe 40–45 litra,” thotë Klajdi Bushi, fermeri i Vjen. Sipas tij, perceptimi se ka rënë numri i lopëve është pjesërisht i saktë, por prodhimi për kafshë është rritur ndjeshëm falë ushqimit më cilësor, teknologjisë dhe kujdesit veterinar.
Fermerët theksojnë se sot një fermë duhet të ketë një numër të konsiderueshëm krerësh për të qenë ekonomikisht e qëndrueshme. “Me një apo dy lopë nuk mbahet më një familje. Tani fermat janë më të mëdha dhe prodhimi më profesional,” thotë ai.
Në thelb, industria e qumështit në Shqipëri duket se po kalon nga modeli tradicional familjar drejt një agrobiznesi më të strukturuar dhe të teknologjizuar. Fermerët thonë se lopët nuk janë zhdukur, ato thjesht janë përqendruar në ferma më të mëdha dhe më produktive.
Debati publik vazhdon, por si industria ashtu edhe fermerët insistojnë në një mesazh: qumështi vendas mbetet baza e prodhimit, ndërsa transparenca dhe kontrollet laboratorike janë garancia kryesore për konsumatorin./dritare.net