E reja vrau 40-vjeçarin, gruan e xhaxhait dhe veten. Si ndodhi ngjarja në Podujevë!
Dritare.net

Tre persona të vdekur nga të shtënat me armë është bilanci i ngjarjes tragjike që ka ndodhur në Majac të Podujevës.
Dyshohet se një grua e moshës rreth 30-vjeçare fillimisht ka qëlluar me armë një burrë të moshës rreth 40-vjeçare me inicialet I.B. nga Obiliqi, vdekja e të cilit është konstatuar nga mjekët në vendin e ngjarjes, ka njoftuar Policia të hënën.
“Bazuar në informacionet dhe hetimet fillestare, në vendin e ngjarjes është hasur vetura (VË) ngjyrë e bardhë me targa lokale (01), e cila është verifikuar dhe ka dalë në pronësi të një personi mashkull kosovar nga Obiliqi. Nga ekipi mjekësor është konstatuar se personi mashkull kosovar i hasur në automjet është pa shenja jete”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Pasi ka qëlluar për vdekje viktimën mashkull, dyshohet se 30-vjeçarja ka hyrë në shtëpinë e xhaxhait të saj ku ka kryer krimin e radhës, pasi më parë ka marrë peng një familjare të sa – gruan e xhaxhait.
Familjarët e 73-vjeçares nuk kanë pranuar të flasin publikisht të hënën për rastin.
Në një njoftim të Policisë, thuhet se intervenimi në shtëpi u bë pas plagosjes së 73-vjeçares dhe rrezikut që paraqiste e dyshuara.
“Referuar veprimeve dhe hetimeve intensive, është siguruar informacioni se, dyshohet që një person i gjinisë femërore është brenda në një shtëpi, posedon armë zjarri dhe nuk pranon të komunikojë me askënd, e cila paraqet rrezik jete për vetën e saj dhe për të tjerët. Referuar situatës, janë angazhuar Njësia Speciale Intervenuese dhe zyrtarët për ndërmjetësim, të cilët kanë intervenuar brenda në shtëpi duke vënë situatën nën kontroll, ku dy persona të gjinisë femërore janë gjetur brenda, të cilat dyshohet se kanë plagë të rënda, por janë me shenja jete. Nga njësia emergjente u është dhënë tretmani mjekësor, dhe pastaj të njëjtat nën mbikëqyrjen mjekësore dhe policore janë dërguar në qendrën spitalore”, thuhet në njoftim.
Si pasojë e plagëve të marra, në orët e para të mëngjesit të së hënës në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës ka vdekur 73-vjeçarja me inicialet M.G., kurse disa orë më vonë edhe e dyshuara A.G.
Kaltrina Shala, zëdhënëse në Prokurorinë Themelore në Prishtinë ka thënë se motivet e rastit ende nuk dihen.
“Fillimisht lidhur me këtë ngjarje tragjike dyshohet për një mosmarrëveshje ndërmjet tyre, ku më pas situata ka eskaluar dhe është përdorur një armë zjarri, ku ka qëlluar në drejtim të dy personave, ku për fat të keq për shkak të plagëve të marra, kanë ndërruar jetë të dy viktimat dhe po ashtu e dyshuara kryesore e këtij akti, ka ndërruar jetë e që e ka konstatuar edhe QKUK. Është sekuestruar një armë zjarri, gëzhoja dhe disa prova të tjera relevante, të cilat do të kontribuojnë në ndriçimin e plotë të rrethanave të këtij rasti”.
Rasti nga policia është cilësuar si vrasje e rëndë. Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, trupat e pajetë të viktimave janë dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për kryerjen e autopsisë./KohaDitore