Na ndiqni edhe në

Kuriozitete

Nuk ndaloja dot së shqetësuari, derisa zbulova rregullin e orës 18:30

Nuk ndaloja dot së shqetësuari, derisa zbulova rregullin e orës

Terapistja ime më tha se ankthi është si një bullizues dhe si çdo bullizues, i duhet treguar vendi dhe atij. Për fatin tim të mirë, ajo e dinte si ta bëja këtë.

Gjysma e dytë e vitit 2011 nuk ishte një periudhë e mirë për mua. Puna ishte shumë stresuese dhe një lidhje që dukej se do të ishte “romanca e verës” u shua ngadalë dhe me dhimbje. Nëna ime ishte e sëmurë dhe unë po ndjeja shumë mungesën e babait tim, i cili kishte ndërruar jetë disa vite më parë. Ishte një stuhi emocionesh që erdhi pa u ftuar.

Më parë, kur kisha kaluar periudha të vështira, arrija të dilja prej tyre shpejt. Por kësaj here ishte ndryshe. Papritur, fillova të jetoj në një gjendje ankthi. Vazhdova jetën time, shkoja në punë, dilja jashtë, por në fakt, ankthi po kontrollonte gjithçka. Edhe vendimet më të vogla më shkaktonin panik.

Metodat që më parë më kishin ndihmuar, si; të qëndroja e zënë, të planifikoja udhëtime, të bëja shëtitje të gjata, tani nuk po funksiononin. E kuptova se më duhej ndihmë profesionale, por edhe ky ishte një tjetër vendim që më stresonte. Pasi provova disa terapistë që nuk më përshtateshin, një mikeshë më rekomandoi dikë.

Terapistja ishte norvegjeze dhe ambienti i saj ishte shumë i qetë dhe i ngrohtë. Që në takimin e parë ndjeva lehtësim. I tregova si ndihesha dhe ajo më tha se mund të gjeja një rrugëdalje. Nuk e besova menjëherë. Megjithatë, në javët që pasuan, mënyra e saj e qetë, e vendosur dhe praktike më bëri të ndihesha e mbështetur. Por ankthi ende ishte shumë i fortë.

Një ditë, ndërsa isha e bllokuar në një rreth të pafund mendimesh negative, ajo më tha:
“Sonte, pas orës 18:30, është "Koha pa shqetësime".

“Çfarë do të thotë kjo?” e pyeta.

“Do të thotë pikërisht kjo: nga ora 18:30 deri sa të zgjohesh nesër, nuk të lejohet të shqetësohesh,” tha ajo.

“Si do të më ndihmojë kjo?” pyeta.

“Kjo i jep trurit tënd një pushim dhe lejon që pjesët e tjera të trurit, që nuk drejtohen nga ankthi, të rikthehen,” shpjegoi ajo. Pastaj shtoi se ankthi është si një bullizues dhe i duhet treguar vendi i vet.

Në fillim nuk e besoja fare këtë metodë. Mendoja se e vetmja mënyrë për të dalë nga kjo gjendje ishte të mendoja vazhdimisht për shqetësimet e mia derisa t’i “zgjidhja”. Mendova se nëse i shtyja, edhe për disa orë, do të bëheshin më keq.

Por ajo më tha diçka që më qetësoi:
“Shqetësimet e tua do të jenë aty edhe në mëngjes, nëse do të duash të kthehesh tek ato.”

Me hezitim vendosa ta provoja. Natën e parë arrita t’i largoj mendimet shqetësuese vetëm deri në orën 20:00, pastaj ato u rikthyen. Ishte një hap i vogël, por i rëndësishëm.

Pas disa javësh, arrita ta zgjas këtë “kohë pa shqetësime” deri në orën 22:30. Terapistja më tha të vazhdoja. Dhe unë vazhdova.

Me kalimin e kohës, arrita ta zgjas këtë rregull deri në mëngjes. Dhe më pas ndodhi diçka e rëndësishme: fillova të ndihesha më e lehtë, më pak e përfshirë nga ankthi dhe më optimiste. Kuptova se metoda po funksiononte.

Pas rreth 18 muajsh ndihesha gati të vazhdoja vetë. Nuk ishte vetëm ky rregull që më ndihmoi, por kombinimi i terapisë, kujdesit për veten, ushqimi i mirë, gjumi, aktiviteti fizik dhe një ritëm më i qetë jete. Megjithatë, fuqia e “parkimit” të shqetësimeve gjatë natës ishte shumë e madhe.

Vitin e kaluar, gjatë një udhëtimi në Bangkok, pashë një tabelë ku shkruhej: “Zonë pa shqetësime”. Më pëlqeu shumë. Më kujtoi se mund ta bëj jetën time një zonë pa shqetësime dhe se ankthi nuk duhet të na kontrollojë gjithmonë. Ndonjëherë, jemi ne ata që vendosim./K.C/dritare.net