Na ndiqni edhe në

Histori Shqipërie

Në mal me bletët dhe ChatGPT. Historia e pabesueshme e bletarit

Në mal me bletët dhe ChatGPT. Historia e pabesueshme e bletarit

Në një cep të largët të Shqipërisë, në një fshat që ndan veten mes Beratit dhe Tepelenës, jeton një njeri që ka zgjedhur një rrugë të pazakontë për vitet e pleqërisë. Quhet Gëzim Shehu. Ka mbaruar për biokimi, ka shërbyer 43 vite në arsim dhe sot, në vend të pushimit, ka zgjedhur të rifillojë nga e para, si bletërritës në fshatin Zhapokikë.

“Është një profesion që më kompenson tërë lodhjen e 43 viteve”, thotë Gëzimi, ndërsa tregon me krenari kosheret që ka vendosur mes qetësisë së maleve. Ai është kthyer në natyrë, në rrënjë, në atë që e sheh si formën më të pastër të jetës: punën me duar, me tokën, me bletët.

Fshati ku jeton quhet Zhapokikë, një emër me rrënjë sllave që, siç thotë vetë, nuk e ka zbërthyer dot as në fjalorët rusë. Dikur, në fund të viteve ’90, numëronte 85 shtëpi. Sot, vetëm tre kanë mbetur. Të tjerët janë shpërndarë nëpër qytete: Sarandë, Fier, Tiranë… dhe më tej, jashtë vendit. Ndërsa brezi më i ri ka nisur të largohet dhe nga vetë Shqipëria.

“Unë nuk u largova kurrë. Nuk më ka shkuar mendja të iki refugjat. As në Amerikë, edhe pse më kanë lutur. S’është për mua jeta me 12 orë punë e dy punë në ditë. Mua më lodh betoni, më vret kafeneja. Dua mal, dua ajër, dua bletë”, rrëfen Gëzimi.

Në mal me bletët dhe ChatGPT. Historia e pabesueshme e bletarit

Në Zhapokikë, ai e pi kafen në ballkon, me ekspresin e vet, pranë bletëve. I ka tre katër miq bletërritës. Në darkë, pas punës, telefonojnë njëri-tjetrin, ndajnë ditën, bëjnë shoqëri. “Është një jetë e thjeshtë, por e plotë”, thotë.

Ai është ndër të parët që ka përdorur kompjuterin në arsim. Dhe sot, pyet ChatGPT-n për bletët. “E kam testuar, më ka dhënë përgjigje të sakta. Jam i kënaqur. E pyes dhe për fjalorë, e për gjëra të tjera”, thotë me buzëqeshje.

Por jeta në Zhapokikë nuk është e lehtë. Nuk ka shkollë. Zona përreth, që dikur kishte më shumë se gjashtë fshatra, sot mbulohet nga një shkollë e vetme në Rehovë. Fëmijë nuk ka. Vetëm të moshuar, me bagëti, me kujtime, me shpresë se ndoshta një ditë, kur rruga të jetë bërë, dikush do të kthehet.

“Unë jam kthyer për verën. Vij në maj dhe iki në tetor. Kur fillon akulli, zbres poshtë. Por këtu, kur fillon behari, kur vjen era e mirë e luleve, ngjitem lart.”

Në mal me bletët dhe ChatGPT. Historia e pabesueshme e bletarit

Në këtë cikël sezonesh dhe shpirti, Gëzim Shehu ka gjetur paqen. Nuk është pasanik, por thotë se kurrë nuk ka vuajtur për bukën e gojës. “Po mos ishte leku, s’do mbaja kaq shumë bletë. Do mbaja dy a tre për sport”, thotë me sinqeritet.

Historia e Gëzim Shehut është një kujtesë e gjallë: Shqipëria e thellë mund të ofrojë më shumë sesa po marrim. Mjafton të dish ku të shikosh./K.C/dritare.net