
Historia e Shqipërisë në fillim të viteve ’90 rikthehet përmes disa pamjeve të rralla që sjellin emocionin dhe dramën e një periudhe vendimtare për vendin. Në episodin e radhës të Kamera e gjyshit nga Stefan Gajo në DritareTV, jepen momente të një epoke që shënoi fundin e izolimit komunist dhe fillimin e një kapitulli të ri për shqiptarët
Pamjet, të realizuara nga Arben Çeku sjellin në vëmendje atmosferën e atyre ditëve kur mijëra shqiptarë kërkonin lirinë dhe një jetë më të mirë përtej kufijve. Ato dokumentojnë një shoqëri në trazirë, mes shpresës për ndryshim dhe dhimbjes së largimit masiv.
Pamjet tregojnr ngjarjet më të mëdha të historisë moderne shqiptare: dyndjen në ambasadat e huaja në Tiranë në korrikun e vitit 1990 dhe eksodin masiv me anije drejt Italisë në vitin 1991.
Mijëra qytetarë sfiduan frikën dhe regjimin e kohës duke kërkuar strehim në ambasadat perëndimore, ndërsa një vit më pas portet e Durrësit dhe Vlorës u kthyen në skena të një largimi të paprecedentë. Anija “Vlora”, me mijëra shqiptarë në bord, u bë simbol i dëshpërimit dhe shpresës së një populli që po përpiqej të shkëputej nga izolimi disa dekadash.
Përmes kamerës së Arben Çekut këto momente vijnë sot si një dëshmi historike e gjallë, duke rikthyer kujtimet e një brezi që përjetoi ndryshimin më të madh shoqëror të Shqipërisë moderne./dritare.net