17-vjeçari humb jetën pasi u përplas me makinë. Po kthehej nga puna si kamerier
Dritare.net

Një ngjarje e rëndë ka tronditur qytetin e Vlorës në orët e para të mëngjesit të sotëm. Një 17-vjeçar ka humbur jetën pasi motori me të cilin po lëvizte u përplas me një automjet në bulevardin “Ismail Qemali”, pranë një marketi.
Aksidenti ka ndodhur rreth orës 00:10 të datës 28 tetor 2025. Sipas njoftimit zyrtar të Policisë, automjeti me targë AB737UI, që drejtohej nga Haiti Bajramaj, 32 vjeç, është përplasur me motomjetin me targë CA305, në drejtimin e të cilit ndodhej Leandro Shametaj, vetëm 17 vjeç.
I riu u transportua me urgjencë në Spitalin Rajonal të Vlorës, por, pavarësisht përpjekjeve të mjekëve, nuk mundi t’u mbijetonte plagëve të marra.
Drejtuesi i automjetit është shoqëruar nga policia në ambientet e DVP Vlorë, ndërsa grupi hetimor po punon për të zbardhur rrethanat e plota të aksidentit tragjik.
Sipas dëshmitarëve në vendngjarje, përplasja ka qenë shumë e fortë dhe fatale, ndërsa mësohet se i riu po kthehej nga puna si kamarier në momentin e ngjarjes.
Tragjedia ka tronditur familjarët dhe miqtë e tij, të cilët ndodhen në gjendje shoku. Leandro do të festonte ditëlindjen e tij të 18-të pas vetëm pak ditësh./L.F-dritare.net