Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Edi Rama: Gjykata e Hagës është një padrejtësi historike. Lufta për liri nuk është krim

Edi Rama: Gjykata e Hagës është një padrejtësi

Kryeministri Edi Rama ka reaguar ashpër ndaj procesit gjyqësor që po zhvillohet në Gjykatën e Hagës ndaj ish-krerëve të UÇK-së, duke e cilësuar atë si një padrejtësi historike dhe një njollë për drejtësinë ndërkombëtare.

Në një reagim të publikuar në Facebook, Rama u shpreh se është “e tmerrshme” që shpëtimtarët e Kosovës duhet të dalin para një gjykate për të provuar se lufta për liri nuk është krim.

“Është e pabesueshme që ata që luftuan për mbijetesën e Kosovës, në një kohë kur vendi ishte në tehun e thikës së padrejtësisë historike, duhet të paraqiten sot para një gjykate që ka dalë nga shinat mbi të cilat u ngrit, për të dëshmuar se rebelimi ndaj një diktature nacional-socialiste nuk është faj,” – shkruan Rama.

Kryeministri e cilësoi procesin si “një turp për drejtësinë ndërkombëtare”, duke shtuar se kjo gjykatë do të mbetet në histori me njollën e padrejtësisë.

Ai kritikoi ashpër edhe ata që, sipas tij, “edhe mbrapa hekurave të kësaj padrejtësie ulëritëse, vazhdojnë ta shohin Hashim Thaçin si armik politik”, ndërkohë që “emri i tij do të mbetet përgjithnjë i lidhur me fatin, lirinë dhe pavarësinë e Kosovës”.

Reagimi i Ramës vjen në një moment kur procesi ndaj ish-presidentit të Kosovës Hashim Thaçi dhe ish-drejtuesve të tjerë të UÇK-së në Hagë është drejt fazës përfundimtare, duke tërhequr vëmendje të gjerë në opinionin publik në Kosovë, Shqipëri dhe më gjerë./L.F-dritare.net