Si ta kaloj ankthin në shtatzëni! Përgjigjet psikologia!
Dritare.net

Përshëndetje Dritare.net dhe psikologe Enertila
Ju shkruaj pasi kam një situatë vërtet delikate. Unë jam disa javë shtatzënë, mirëpo kam kuptuar se kam ankth dhe kjo po më mundon shumë. Si ta kaloj ankthin në këto momente shtatzënie dhe a ndikon te fëmija situata ime? A ka ankth një grua shtatzënë se ndoshta nuk e kuptoj çfarë kam? Ju faleminderit!
Psikologe Enertila Bekteshi përgjigjet
Përshëndetje lexues të Dritare.net
Shtatzënia është një kohë transformimi të thellë, një kapitull në jetë i mbushur me gëzim dhe pritje, por edhe me ndryshime të mëdha fizike, mendore dhe emocionale. Shtatzënia dhe ankthi kanë një lidhje më të madhe nga se e mendojmë. Shtatzënia dhe ankthi janë dy përvoja që shpesh ndërthuren, të nxitura nga një numër i madh komplekse faktorësh fizikë dhe psikologjikë. Shtatzënia është një kohë ndryshimesh të rëndësishme, si fizike ashtu edhe emocionale. Gjatë kësaj faze, trupi përshtatet në mënyra ndonjëherë të padukshme, ndërsa perspektiva e një të ardhmeje të ndryshme mund të shkaktojë emocione kontradiktore. Nga njëra anë, trupi i nënshtrohet një ndryshimi të vërtetë hormonal nga ana tjetër, mendja punon pa u lodhur. Njohja e simptomave të ankthit gjatë shtatzënisë mund të jetë sfiduese, pasi disa prej tyre përputhen me ndryshimet normale të shtatzënisë. Lodhja, çrregullimet e gjumit apo edhe rrahjet e shpejta të zemrës mund t'i atribuohen vetë shtatzënisë. Një nga frikërat më të mëdha gjatë shtatzënisë është se ankthi mund të ketë pasoja negative. Të jetosh me ankth të vazhdueshëm mund të jetë shumë e lodhshme për nënën e ardhshme, duke ndikuar në mirëqenien e saj emocionale dhe fizike . Lajmi i mirë lexuesja jonë është se nuk jeni e pafuqishme ndaj ankthit.
Në kënvështrimin tim qëllimi më i rëndësishëm është të gjesh një trajtim që është i përshtatshëm për nevojat tuaja specifike dhe i sigurt për ju dhe fëmijën tuaj. Të flasësh me një profesionist të shëndetit mendor është një nga mjetet më të fuqishme. Një terapist mund të të ndihmojë të eksplorosh rrënjët e frikës tënde dhe të zhvillosh strategji praktike për t'i menaxhuar ato . Ushtrimet dhe aktivitetet fizike të buta dhe të rregullta siç është një shëtitje mund të përmirësojë humorin dhe të zvogëlojë tensionin. E dashur lexuesja jonë ushtrimet e thjeshta të frymëmarrjes së thellë mund të ndihmojnë në qetësimin e sistemit nervor dhe në menaxhimin e momenteve të ankthit kulmor.
Lexuesja jonë , kërko mbështetje sociale. Ndarja e shqetësimeve tuaja të shtatzënisë me partnerin tuaj, miqtë e besuar, familjen mund të zvogëlojë ndjenjat e izolimit dhe t'ju bëjë të ndiheni të kuptuara. Kujdesi për shëndetin tuaj mendor gjatë shtatzënisë nuk është luks, por një akt themelor dashurie për veten dhe foshnjën tuaj. Të pranosh se ke nevojë për ndihmë dhe ta kërkosh atë në mënyrë aktive është hapi i parë dhe i guximshëm për të menaxhuar në mënyrë efektive ankthin. Shpresoj shumë që këndvështrimi im t’ju ndihmojë sadopak në gjendjen tuaj. Gjithë të mirat !/dritare.net