Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Fëmijët zbulojnë sekretet e Skënderbeut në Kalanë e Krujës!

Fëmijët zbulojnë sekretet e Skënderbeut në Kalanë

Sot mbushen plot 558 vjet nga vdekja e heroit tonë kombëtar, Gjergj Kastriot Skënderbeut, i cili ndërroi jetë më 17 janar 1468, në Lezhë. Skënderbeu mbetet simbol i qëndresës dhe i bashkimit shqiptar, një figurë që frymëzon edhe brezat e rinj.

Për të kujtuar këtë ditë, Dritare TV organizoi një vizitë në Kalanë e Krujës, ku u nisën së bashku me një grup fëmijësh për të mësuar nga afër historinë e heroit dhe rolin e tij në mbrojtjen e atdheut.

Gjatë vizitës, fëmijët patën mundësinë të eksploronin muret e kalasë, duke bërë pyetje mbi strategjitë e luftës dhe jetën e Skënderbeut. Disa prej pyetjeve të tyre ishin:

“Si e mbronte Skënderbeu kështjellën nga osmanët?”

“Çfarë armësh përdornin shqiptarët dhe osmanët në luftë?”

“Pse Skënderbeu konsiderohet hero i gjithë shqiptarëve?”

Sa i gjatë ishte Skënderbeu?

Çfarë ngjyre i kishte sytë Skënderbeut?

Si quhej motra e Skënderbeut?

Ku lindi Skënderbeu?

Cili ishte emri i tij i plotë?

Sa vjet luftoi kundër osmanëve?

Cila kala ishte qendra e rezistencës së tij?

Pse konsiderohet hero i kombit shqiptar?

Guida e muzeut u shpjegoi fëmijëve se Kalaja e Krujës ishte zemra e rezistencës shqiptare dhe se, pavarësisht rrethimeve të shumta, nuk u pushtua asnjëherë gjatë kohës së Skënderbeut. Ata mësuan për përdorimin e shpatave, thikave dhe topave, si dhe për rëndësinë e terrenit malor në strategjinë e luftës.

Fëmijët treguan kureshtje edhe për pikturat dhe portretet e Skënderbeut, të cilat e përshkruajnë atë jo vetëm si luftëtar, por edhe si udhëheqës dhe diplomat. Guida theksoi se figura e Skënderbeut ka frymëzuar artistë dhe historianë nga e gjithë Evropa dhe është një simbol i identitetit shqiptar.

Vizita u përfundua me diskutime dhe reflektime nga fëmijët, të cilët thanë se të mësuarit nga afër është shumë më interesant se vetëm leximi i historisë. Për ta, kalaja u bë një “klasë e gjallë” ku mund të preknin, shihnin dhe ndjenin historinë me sy e me dorë.

Ky aktivitet edukativ i organizuar nga Dritare TV ka për qëllim të afrojë brezat e rinj me trashëgiminë kombëtare dhe të forcojë njohuritë dhe krenarinë për historinë e shqiptarëve, duke bërë të gjallë kujtimin e heroit tonë të madh, Gjergj Kastriot Skënderbeu./E.P-dritare.net