Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Rama intervistë për median turke: Nëse Kosova është nën kërcënim ekzistencial, është edhe Shqipëria

Rama intervistë për median turke: Nëse Kosova është

Marrë nga Türkiye Today

Shqipëria dhe Turqia e përshkruajnë shpesh marrëdhënien e tyre dypalëshe si thellësisht strategjike, të mbështetur në lidhje historike dhe në raportin e fortë personal mes udhëheqësve të tyre. Megjithatë, sipas kryeministrit shqiptar Edi Rama, pesha ekonomike e Turqisë në Ballkan nuk përputhet me ndikimin e saj politik.

Në një intervistë për Türkiye Today të sjell shqip nga Dritare.net, Rama dha një vlerësim të drejtpërdrejtë për rolin e Ankarasë në rajon. Ai hodhi poshtë narrativat e vazhdueshme për ambicie “neootomane” të Turqisë, duke e sfiduar Ankaranë që të shkojë përtej popullaritetit personal të presidentit Recep Tayyip Erdogan dhe ta mbështesë strategjinë e saj në Ballkan me investime të prekshme ekonomike. Rama vlerësoi gjithashtu marrëdhënien e tij personale me presidentin turk.

“Kam një marrëdhënie shumë të mirë me presidentin Erdogan, të cilin e konsideroj një njeri të drejtpërdrejtë,” u shpreh ai.

“Ai është shumë i qartë: po është po, jo është jo.”

Biseda preku edhe rendin e ri global, 30-vjetorin e Marrëveshjes së Dejtonit dhe përpjekjen e Shqipërisë për anëtarësim në Bashkimin Evropian deri në vitin 2030.

“Nuk mjafton”: Mesazh i drejtpërdrejtë për Ankaranë

Ndërsa e cilësoi presidentin Erdogan si “mik të madh”, Rama theksoi se Turqia duhet të bëjë më shumë për ta forcuar partneritetin rajonal. I pyetur për shtyllat strukturore të marrëdhënies Turqi-Shqipëri dhe për tregtinë mes dy vendeve, ai ishte i prerë. Për të ilustruar hendekun mes marrëdhënieve politike dhe atyre ekonomike, Rama bëri një krahasim me klubet më të mëdha të futbollit në Turqi, Galatasaray dhe Fenerbahce.

“Nuk kam bërë llogaritjet e vlerës së Galatasarait dhe Fenerbahçes, por kam frikë se, të marra së bashku, vlejnë më shumë se vëllimi i tregtisë mes Turqisë dhe Shqipërisë dhe kjo nuk mjafton,” tha Rama.

“Duhet të paktën të kalojmë ligën turke,” shtoi ai me ironi.

Sipas tij, aktualisht mungon një projekt madhor ekonomik që ta ankorojë realisht marrëdhënien dypalëshe.

“Produkti më i madh që Turqia ka eksportuar në rajon është presidenti Erdogan dhe popullariteti i tij. Nuk e di nëse i pëlqen kjo që po them, por nuk mjafton. Duhet diçka përtej tij."

Rama theksoi se ekzistojnë shumë paragjykime e stereotipe për përfshirjen e Turqisë në rajon, por sipas tij, prania ekonomike është “larg së qenit e mjaftueshme”.

Sipas të dhënave të vitit 2025, eksportet turke drejt vendeve të Ballkanit arritën rreth 25.3 miliardë dollarë, ndërsa eksportet drejt Shqipërisë ishin rreth 819.8 milionë dollarë. Tregtia dypalëshe i kalon 1 miliard dollarët dhe synimi është të arrijë 2 miliardë, ndërsa investimet turke në Shqipëri vlerësohen rreth 3.5 miliardë dollarë.

Duke iu përgjigjur akuzave për ambicie “neootomane”, Rama ironizoi situatën duke përmendur një projekt restaurimi të vonuar të një xhamie të vogël të dëmtuar nga përmbytjet, që pritet të riparohet nga Agjencia Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA).

“Nëse do të ishin vërtet neootomanë, të paktën ajo xhami do të ishte restauruar dhe do të shkëlqente,” tha ai.

Ai përmendi edhe faktin se Turqia ka investuar më shumë në Serbi sesa në Shqipëri dhe Kosovë së bashku, duke iu përgjigjur akuzave të presidentit serb Aleksandar Vucic, i cili kishte pretenduar se Turqia “ëndërron Perandorinë Osmane”.

Rama i cilësoi deklaratat për një “aleancë ushtarake” mes Shqipërisë, Kroacisë dhe Kosovës si pasojë e frikërave që burojnë nga mospranimi i realitetit të pavarësisë së Kosovës.

“Makthi i tij është Kosova. Pikë,” tha Rama për Vuçiçin, duke shtuar megjithatë se ai mbetet një lider “me të cilin mund të flasësh dhe të ndërtosh mbi objektiva të përbashkëta”.

“Nëse Kosova preket, preket edhe Shqipëria”

Rama rikonfirmoi mbështetjen e palëkundur për Kosovën.

“Kosova është e pavarur; është republikë. Ky proces është i pakthyeshëm.”

“Nëse Kosova preket, preket edhe Shqipëria. Nëse Kosova është nën kërcënim ekzistencial, edhe Shqipëria është nën kërcënim ekzistencial.”

Megjithatë, ai pranoi se këndvështrimi i tij nga Tirana ndryshon nga ai i kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, duke theksuar se plagët dhe kujtimet e luftës janë më të pranishme në Kosovë.

“Nuk ka plan B” për BE-në

Në vitin 2025, Shqipëria hapi të gjithë grupkapitujt e mbetur të negociatave me BE-në dhe synon anëtarësimin e plotë deri në vitin 2030. I pyetur nëse ka një “Plan B” në rast se BE-ja vonohet, Rama u përgjigj prerë:

“Nuk ka plan B. Ne duam të anëtarësohemi. Pikë.”

Ai e përshkroi procesin jo si një favor diplomatik nga Brukseli, por si një transferim të domosdoshëm “know-how” për ndërtimin e shtetit.

“Ndonjëherë është i dhimbshëm, madje edhe poshtërues, por në fund është ajo që është. Nuk janë ata që na pyesin ‘a mund të bashkohemi me ju?’, jemi ne që u themi ‘a mund të bashkohemi me ju?’”/KC/dritare.net