Afera “Partizani”, dëshmon në GJKKO ish-ministri Genc Ruli/ Në fokus privatizimi i ish-kompleksit sportiv
Dritare.net

Seanca e kësaj të hëne në Gjykatën e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) është përqendruar te dëshmitë e personave kyç në dosjen e aferës “Partizani”, ku të pandehur janë ish-kryeministri Sali Berisha, dhëndri i tij Jamarbër Malltezi dhe persona të tjerë.
Mes dëshmitarëve që po paraqiten para gjykatës është edhe ish-ministri i Ekonomisë, Genc Ruli, i konsideruar si një nga figurat kryesore në procesin e privatizimit të ish-kompleksit sportiv “Partizani”. Sipas dosjes hetimore, Ruli dhe ish-ministri i Mbrojtjes Fatmir Mediu nisën procedurat e privatizimit menjëherë pas ardhjes në pushtet të qeverisë Berisha në vitin 2005.
Një nga çështjet që pritet të marrë përgjigje gjatë dëshmisë së Rulit lidhet me përshpejtimin e procedurave të privatizimit të kompleksit sportiv prej rreth 26 mijë metrash katrorë në Tiranë, si dhe me ndryshimet ligjore që i paraprinë këtij procesi.
Në dosjen e SPAK evidentohet edhe një mbledhje e qeverisë e datës 17 dhjetor 2008, ku diskutohet ndryshimi i metodologjisë së pagesës për privatizimet. Sipas materialeve hetimore, u miratua një formulë që parashikonte pagesën e 20% të vlerës në para dhe 80% me bono privatizimi dhe letra me vlerë.
Ndërkohë, në një dëshmi të dhënë në SPAK në vitin 2022, Genc Ruli ka deklaruar se përshpejtimi i procedurave të privatizimit erdhi si rezultat i kërkesave të pronarëve dhe se në atë kohë nuk kishte dijeni që një nga përfituesit e pronës ishte Jamarbër Malltezi.
Gjatë seancës pritet të dëshmojnë edhe Tetis Lubonja dhe Altin Ceni, ish-punonjës të Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, të cilët kanë qenë pjesë e grupit të punës që shqyrtoi procedurat e kthimit të pronës.
Po ashtu, i thirrur për të dëshmuar është edhe ish-drejtuesi i klubit Partizani, Paro Laçi. Sipas dosjes së SPAK, ai ka deklaruar se i janë bërë oferta dhe presione për të liruar ambientet e klubit, pretendime që i ka përsëritur edhe në dalje publike.
Procesi gjyqësor për aferën “Partizani” vijon me dëgjimin e dëshmitarëve dhe administrimin e provave që lidhen me një nga dosjet më të rëndësishme të hetuara nga SPAK./L.F-dritare/net