Altin Dumani vizitë në Bruksel; BE: SPAK, kyç për sigurinë dhe integrimin e Shqipërisë
Dritare.net

Kreu i SPAK, Altin Dumani, ka përmbyllur një vizitë dyditore në Bruksel, ku është pritur në takime të nivelit të lartë nga zyrtarë të Bashkimit Europian. Vizita u konsiderua si dëshmi e arritjeve të SPAK-ut në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, ndërsa partnerët europianë vlerësuan forcën, besueshmërinë dhe profesionalizmin e institucionit shqiptar.
Dumani zhvilloi takime me disa nga drejtuesit më të rëndësishëm të BE-së, përfshirë Gert Jan Koopman, Drejtor i Përgjithshëm i DG NEAR; Salla Saastamoinen, Drejtoreshë e Përgjithshme në detyrë e OLAF; Irena Moozová nga DG JUST; si dhe me kabinetet e Komisionerëve për Zgjerimin dhe Punët e Brendshme, duke shënuar një angazhim të gjerë institucional mes SPAK-ut dhe strukturave europiane.
Gjatë takimeve, u theksua bashkëpunimi i ngushtë i SPAK-ut me agjencitë e BE-së dhe vendet anëtare, si dhe kontributi i tij i drejtpërdrejtë në forcimin e sundimit të ligjit në Shqipëri.
Ambasadori i BE-së në Shqipëri, Silvio Gonzato, vlerësoi punën e SPAK dhe nënvizoi rëndësinë e vazhdimit të rezultateve:
“BE-ja ka qenë dhe do të mbetet mbështetëse e fortë e SPAK-ut. Ruajtja e rezultateve solide edhe nën drejtimin e ri në vitin 2026 e më tej është kyçe për progresin e Shqipërisë drejt anëtarësimit në BE. SPAK nuk mund ta bëjë këtë i vetëm; institucionet e tjera shqiptare duhet të bëjnë pjesën e tyre.”
Sipas Gonzatos, puna e SPAK është vendimtare jo vetëm për integrimin, por edhe për sigurinë e Shqipërisë dhe vetë Bashkimit Europian.
Vizita e Dumanit shihet si një sinjal i qartë se lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar do të mbetet në qendër të reformave shtetërore, në një kohë kur BE-ja kërkon ritëm të qëndrueshëm rezultatesh nga Shqipëria./L.F-dritare.net