E rëndë në Vlorë, pitbulli kafshon në kokë 4-vjeçaren!
Dritare.net

Një ngjarje e rëndë është regjistruar në zonën e Lungomare Vlorë, ku një fëmijë rreth 4 vjeç (vajzë) është sulmuar nga një qen i racës pitbull, duke pësuar plagë të rënda në kokë.
Sipas dëshmive, e mitura ndodhej nën kujdesin e gjyshërve në momentin e incidentit. Gjyshja e saj ka rrëfyer se gjithçka ndodhi papritur gjatë një shëtitjeje buzë detit.
“Kishim dalë buzë detit, e kisha vajzën përdore. E pashë qenin, bëri sikur iku dhe më pas erdhi dhe iu hodh vajzës”, tregoi ajo, ende e tronditur nga ngjarja.
Në ndihmë të menjëhershme kanë ardhur disa persona që ndodheshin pranë. Një prej tyre, Sejko Veliu, ka ndërhyrë për të neutralizuar qenin dhe për të shpëtuar fëmijën.
“Vajza ishte me gjyshin dhe gjyshen. Erdhi qeni dhe e mbërtheu në kokë. E kapa qenin dhe e lidha me zinxhir. Fëmija ishte nja 4-vjeçe, erdhi ambulanca dhe e dërguan në spital”, u shpreh ai.
E mitura është transportuar me urgjencë në spital, ku po merr trajtim mjekësor për plagët e marra.
Ngjarja ka shkaktuar shqetësim te qytetarët, duke rikthyer në vëmendje problematikën e qenve endacakë dhe sigurinë në hapësirat publike.