Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Emergjencat civile në gatishmëri. Ja zonat më të prekura nga përmbytjet!

Emergjencat civile në gatishmëri. Ja zonat më të prekura nga

Reshjet intensive të ditëve të fundit kanë vënë në gatishmëri maksimale strukturat e emergjencave civile në disa qarqe të Shqipërisë. Sipas njoftimit zyrtar të Ministrisë, situata në pjesën më të madhe të territorit po shkon drejt stabilizimit, por në qarqe si Vlorë, Fier, Lezhë e zona të tjera vijojnë problemet nga prurjet e larta të lumenjve dhe dëmtimet e argjinaturave.

Vlora: Evakuime dhe dëmtime argjinaturash

Në qarkun e Vlorës, lumi Vjosa ka nisur tërheqjen, por situata ka qenë kritike në Novoselë dhe zonën e Mifolit, ku janë evakuuar gjithsej 10 familje. Në Sarandë, vijon monitorimi i aksit Sarandë–Delvinë për shkak të daljes nga shtrati të lumit të Kalasës.

Autoritetet po punojnë me prioritet për mbrojtjen e banesave në fshatin Çukë, ku është dëmtuar argjinatura e lumit Bistricë. Ndërhyrje janë kryer edhe për pastrimin e rrugëve në Himarë, Konispol dhe zona të tjera, ndërsa ekipet e OSHEE po punojnë për rikthimin e energjisë në zonën e Llogarasë.

Fier: Tokat bujqësore nën ujë

Në qarkun Fier, lumi Vjosa ka dalë nga shtrati në zonat Kashisht–Çervën–Ferras, por brenda argjinaturës. Rreth 50–60 hektarë tokë bujqësore ndodhen nën ujë, ndërsa një familje është evakuuar në Çerven. Uji ka hyrë në oborret e rreth 30 banesave. Ndërkohë, lumi Seman ka rritje prurjesh, por pa rrezik të drejtpërdrejtë për banesat.

Emergjencat civile në gatishmëri. Ja zonat më të prekura nga

Lezhë: Rrezik nga çarja e argjinaturës së Vainit

Në njësitë Shënkoll dhe Zejmen, situata është e ndërlikuar për shkak të çarjes së argjinaturës së lagunës së Vainit. Niveli i ujit vijon të rritet, ndërsa ekipet e emergjencave po punojnë për të shmangur përmbytjen e banesave dhe bizneseve. Në disa raste janë kryer evakuime me varka. Punimet për riparimin e argjinaturës vijojnë.

Qarqet e tjera: Monitorim dhe ndërhyrje

Korçë: Po monitorohet fryrja e lumenjve Devoll dhe Dunavec, me ndërhyrje për devijimin e ujërave në disa zona.
Durrës: Situata është më e qetë, lumenjtë Erzen, Ishëm dhe Zezë nuk kanë rritje niveli, ndërsa hidrovorët punojnë normalisht.
Dibër: Situata është përgjithësisht e stabilizuar, por vijon pastrimi i akseve dhe përrenjve.
Shkodër: Reshje me intensitet të moderuar, me rritje të prurjeve në disa përroje.
Berat: Monitorohet rreziku i daljes nga shtrati të lumit Osum, me ndërhyrje në lagje të rrezikuara.
Gjirokastër: Akset kryesore janë pastruar nga inertet dhe janë të qarkullueshme.
Tiranë, Kukës, Elbasan: Situata paraqitet e stabilizuar, me punë në terren për rikthimin e energjisë në disa zona.
Strukturat në gatishmëri

Ministria e Mbrojtjes, Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile, Forcat e Armatosura dhe strukturat vendore mbeten në gatishmëri të plotë, në komunikim të vazhdueshëm për përballimin e çdo përkeqësimi të mundshëm të situatës.

Autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve të ndjekin njoftimet zyrtare dhe të respektojnë udhëzimet e emergjencave civile./L.F-dritare.net