Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Epoka e re në Apple: John Ternus merr drejtimin pas Tim Cook!

Epoka e re në  Apple: John Ternus merr drejtimin pas Tim Cook!

Kompania Apple ka njoftuar se veterani i saj, John Ternus, do të marrë detyrën e drejtorit ekzekutiv (CEO) duke filluar nga 1 shtatori, duke pasuar Tim Cook.

Në një deklaratë për shtyp, Ternus u shpreh se ndihet i privilegjuar që ka kaluar pothuajse gjithë karrierën e tij në Apple, duke punuar fillimisht nën drejtimin e Steve Jobs dhe më pas me mentorimin e Cook.

Aktualisht, Ternus mban postin e zëvendëspresidentit të lartë për inxhinierinë e harduerit, ku ka udhëhequr zhvillimin e produkteve më ikonike të kompanisë si iPhone dhe Mac, si dhe inovacione më të reja si Apple Vision Pro. Ai ka pasur rol kyç edhe në linjat e produkteve si AirPods dhe zhvillimet e fundit të MacBook dhe iPhone.

Ternus i është bashkuar Apple në vitin 2001 si pjesë e ekipit të dizajnit të produkteve dhe është ngjitur gradualisht në pozicione drejtuese, duke u bërë pjesë e ekipit ekzekutiv në vitin 2021. Ai ka një diplomë në inxhinieri mekanike nga Universiteti i Pensilvanisë.

Emërimi i tij nuk vjen si surprizë, pasi ai konsiderohej prej kohësh si një nga kandidatët kryesorë për këtë rol.

Sfida më e madhe për Ternus do të jetë drejtimi i Apple në një periudhë ku inteligjenca artificiale po ndryshon industrinë e teknologjisë. Ndërkohë që Cook e çoi kompaninë drejt një vlere prej 4 trilionë dollarësh duke u fokusuar në shërbime dhe zhvillimin e produkteve ekzistuese, pritet të shihet nëse Ternus do të ndjekë të njëjtën strategji apo do të ndërmarrë një qasje më inovative.

Analistët theksojnë se përvoja e tij si inxhinier hardueri mund të sinjalizojë një fokus më të madh te produktet fizike, ndërsa Apple kërkon të diferencohet në një treg gjithnjë e më konkurrues të inteligjencës artificiale.