Çfarë ndodhi sot në Aeroportin e Rinasit? Ja si nisi greva e punonjësve!
Dritare.net
Kontrollorët e trafikut ajror të AlbControl pezulluan sot procesin e punës pas uljes së pagave nga 4400 dollarë në 2400 dollarë me argumentin se kanë stres dhe për pasojë u anuluan të gjitha fluturimet nga Aeroporti i Rinasit. Menjëherë pas kësaj, ka dalë në një deklaratë për shtyp ministrja e Infrastrukturës Belinda Balluku e cila e ka quajtur grevën të jashtëligjshme.
“Pavarësisht se kanë zgjedhur këtë mënyrë për të operuar, kjo është një grevë e pastër në thyerje të Kodit të Punës, sepse janë arsyetuar të gjithë në të njëjtin moment, duke deklaruar paaftësi”.
Ministrja përmendi edhe presidentin Meta dhe ish-kryeministrin Berisha duke e quajtur situatën organizim të mirëfilltë politik.
“Kam ndjekur me vëmendje Sali Berishën i cili ka një ekzaltim të madh sepse do të mbyllet aeroporti i vetëm ndërkombëtar. E gjitha kjo është një organizim i mirëfilltë politik për shkak të fushatës. Sot në aeroportin e Rinasit nuk do të vijnë dot vaksinat që duhet të vinin për të vazhduar vaksinimin e shqiptarëve. Unë do t'i kërkoja Presidentit të Republikës i cili i ka takuar më parë i ka takuar dhe i ka informacion kontrollorëve të trafikut ajror. Do të doja të dija nga zoti Meta a mendon se do të duhet të bllokohet ardhja e vaksinave"? A duhet vendi të kapet peng është një grusht shtetit, a duhet të kapet nga disa persona të cilat janë të stresuar me pagën 2490 dollarë dhe nëse nuk ja bëjnë 4490 dollarë atëherë ato do të mbajnë vendin peng”, tha ajo.
Nga ana tjetër, përmes postimeve në rrjetet sociale kanë reaguar edhe kryeministri Rama dhe presidenti Meta. Sipas Ramës ky ishte sabotim i rëndë me frymëzues Berishën dhe Metën dhe se organizatorët do të kallëzohen penalisht. Sipas tij presidenti Meta është nxitës i goditjes së çmendur, duke shtuar se nuk do ia dalin.
I menjëhershëm ka qenë reagimi i presidentit Meta i cili ka theksuar se qeverisë së Ramës do t’i japë përgjigje nga Vlora lidhur me bllokimin e trafikut ajror nga ana e punonjësve të AlbControl. Meta thotë se e fton dhe "tërmetin" të marrë pjesë për shkak të përvojës me fluturimet, aeroportet dhe jo vetëm.
Përmes një deklarate për mediat ka reaguar edhe Sindikata e Pavarur e Kontrollit të Trafikut Ajror (SPKTA) duke informuar se publikun në lidhje me situatën që gjendet sot menaxhimi i trafikut ajror në Republikën e Shqipërisë pas vendimit për grevën nga ana e kontrollorëve. Sindikata thotë se ekziston rreziku i pamundësisë së garantimit të sigurisë së fluturimeve ajrore mbi dhe në Republikën e Shqipërisë, dhe rreziku i mbylljes përfundimtare të saj për një periudhë kohore të papërcaktuar. Ndërkohë sipas informacioneve nga aeroporti, biletat e fluturimeve do të përdoren në ditët në vijim, kur të nisë puna, ndërsa është bërë e ditur fluturimet do të jenë të bllokuara deri nesër në orën 12./dritare.net