Çfarë po i kërkon Evropa, Shqipërisë! Flet eksperti
Dritare.net

Në konferencën e tetë ndërqeveritare mes Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian, e zhvilluar në kuadër të procesit të negociatave për anëtarësimin e vendit në BE, u diskutua mbi ecurinë e grupkapitujve themelorë që lidhen me drejtësinë, demokracinë dhe standardet shtetërore.
I ftuar në emisionin “Intervista e Ditës” në Dritare TV, eksperti ndërkombëtar Egon Loli deklaroi se kjo konferencë shënon një moment të rëndësishëm procedural për Shqipërinë, pasi lidhet me mbylljen e grupkapitullit të parë të negociatave me Bashkimin Evropian.
Sipas Lolit, ky grupkapitull përfshin çështje kyçe si funksionimi i drejtësisë, pavarësia e gjyqësorit, të drejtat themelore, administrata publike dhe siguria.
Eksperti theksoi se raporti i ndërmjetëm i vlerësimit të standardeve, i njohur si IBAR, ka pësuar ndryshime të dukshme nga muaji shkurt deri në maj, duke u bërë shumë më kritik ndaj situatës në Shqipëri.
Ai përmendi si shqetësime kryesore ndërhyrjet politike ndaj drejtësisë, përdorimin e administratës shtetërore në procese elektorale, patronazhimin politik, si dhe përplasjet e vazhdueshme të mazhorancës me institucionet e drejtësisë.
Loli u ndal edhe te çështja e ish-zëvendëskryeministres Belinda Balluku, duke thënë se mënyra sesi do të trajtohet kërkesa e SPAK-ut për imunitetin e saj mund të ndikojë drejtpërdrejt në fazat e ardhshme të negociatave me Bashkimin Evropian.
Sipas tij, fakti që Shqipëria po ecën drejt mbylljes së grupkapitullit të parë nuk do të thotë se vendi është automatikisht gati për anëtarësim në BE.
“Europa nuk i ka harruar problemet e Shqipërisë. Ato janë evidentuar qartë në raport dhe do të rikthehen si kushte në fazat finale të procesit”, deklaroi ai.
Eksperti theksoi gjithashtu se procesi i integrimit ka edhe dimension gjeopolitik, duke përmendur ndikimin e marrëdhënieve me Greqinë dhe çështje sensitive si kufiri detar, të drejtat e minoritetit grek dhe pronat.
Një tjetër problem madhor, sipas Lolit, mbetet sistemi i pronave dhe vonesat e mëdha në gjykata, të cilat janë reflektuar edhe në raportet europiane.
Në përfundim, Egon Loli deklaroi se Shqipëria është më afër Bashkimit Europian në aspektin procedural, por ende larg standardeve reale që kërkon BE-ja për anëtarësim të plotë.