Na ndiqni edhe në

Bota

Trump zbulon draftin e marrëveshjes me Iranin: Jemi shumë pranë

Trump zbulon draftin e marrëveshjes me Iranin: Jemi shumë pranë

Presidenti amerikan Donald Trump deklaroi se Irani është “shumë pranë” arritjes së një marrëveshjeje me SHBA-në për konfliktin në Lindjen e Mesme, ndërsa edhe zyrtarët iranianë kanë sinjalizuar progres në negociatat e javëve të fundit.

Në një intervistë për CBS News, Trump tha se ka parë një draft të marrëveshjes, por nuk dha detaje të tjera mbi përmbajtjen e saj. Ai theksoi se çdo marrëveshje do të ketë si kusht kryesor ndalimin e Iranit për të siguruar armë bërthamore.

“Do të nënshkruaj vetëm një marrëveshje ku marrim gjithçka që duam”, deklaroi Trump, duke paralajmëruar se në të kundërt mund të ketë pasoja të rënda për Teheranin.

Nga ana tjetër, zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme iraniane, Esmaeil Baqaei, pranoi se qëndrimet mes dy vendeve janë afruar gjatë javës së fundit, por shtoi se ende nuk ka dakordësi për çështjet kryesore. Sipas tij, po punohet për një memorandum paraprak me 14 pika, që mund të hapë rrugën për një marrëveshje finale brenda 30 deri në 60 ditëve.

Ndërkohë, Sekretari amerikan i Shtetit Marco Rubio u shpreh “me optimizëm të kujdesshëm” për ecurinë e bisedimeve, duke përsëritur se SHBA nuk do të lejojë Iranin të zotërojë armë bërthamore.

Bisedimet mes dy vendeve po zhvillohen në një klimë tensionesh të larta, ndërsa armëpushimi i përkohshëm mes SHBA-së dhe Iranit ka hyrë në muajin e dytë./K.C/dritare.net