Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Kush është Igli Kamberi? Nga atentati ndaj politikanit italian tek operacioni i SPAK dhe Antimafias

Kush është Igli Kamberi? Nga atentati ndaj politikanit italian tek

Igli Kamberi, i konsideruar nga autoritetet si një nga drejtuesit e grupit kriminal të goditur së fundmi nga SPAK në bashkëpunim me Antimafian e Barit, rezulton një emër i njohur për drejtësinë italiane edhe nga dosje të mëparshme kriminale.

Sipas hetimeve të fundit të autoriteteve shqiptare dhe italiane, grupi ku dyshohet se bënte pjesë Kamberi akuzohet për aktivitete të pastrimit të parave, ndërsa ndaj tij rëndojnë dyshime edhe për përfshirje në një ngjarje të rëndë kriminale, konkretisht vrasjen e një parukieri gjatë vitit 2025.

Por emri i Igli Kamberit ishte bërë publik në mediat italiane shumë vite më parë, në kuadër të një atentati të mbetur në tentativë ndaj politikanit italian Pasquale Ventura, ish-këshilltar bashkiak në qytetin e Barlettës.

Arrestimi në vitin 2015
Në vitin 2015, autoritetet italiane arrestuan Igli Kamberin së bashku me shtetasin shqiptar Artan Belliu dhe italianin Giacomo Lanotte, si pjesë e hetimeve për planifikimin e atentatit ndaj Venturës.

Sipas mediave italiane dhe dosjes hetimore të kohës, atentati dyshohej të ishte organizuar nga ish-bashkëshortja e politikanit, Concetta Dimatteo, për motive financiare dhe konflikte të lidhura me trashëgiminë familjare.

Hetimet zbuluan se Dimatteo kishte kontaktuar Artan Belliun për të gjetur persona që do të kryenin eliminimin fizik të ish-bashkëshortit të saj. Për realizimin e atentatit ishte premtuar një shumë prej 30 mijë eurosh.

Sipas prokurorëve italianë, Belliu kishte ndërmjetësuar kontaktet me persona të tjerë të përfshirë në skemë, ndërsa në hetime u përfshi edhe emri i Igli Kamberit.

Hetimet e fundit të SPAK dhe Antimafias
Së fundmi, emri i Kamberit është rikthyer në qendër të hetimeve pas operacionit të përbashkët mes SPAK dhe Antimafias italiane, ku u godit një grup i dyshuar kriminal me aktivitet në Shqipëri dhe Itali.

Autoritetet dyshojnë se grupi merrej me pastrim parash dhe aktivitete të tjera kriminale ndërkombëtare. Ndërkohë, hetuesit po verifikojnë edhe lidhjet e mundshme të anëtarëve të grupit me ngjarje të rënda kriminale të ndodhura vitet e fundit.

Në dosjet paraprake hetimore përmendet edhe dyshimi për përfshirjen e Kamberit në vrasjen e një parukieri gjatë vitit 2025, një ngjarje që po hetohet nga autoritetet italiane.

Operacioni i përbashkët SPAK-Antimafia konsiderohet një nga aksionet më të rëndësishme kundër krimit të organizuar shqiptar me shtrirje ndërkombëtare, ndërsa hetimet vijojnë për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në rrjet./K.C/dritare.net