Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Çfarë shkruajnë mediat e huaja për zgjedhjet në Shqipëri

Çfarë shkruajnë mediat e huaja për zgjedhjet në

Mediat ndërkombëtare kanë ndjekur me vëmendje zgjedhjet parlamentare të 11 majit 2025 në Shqipëri, duke theksuar sfidat e demokracisë, ndikimin e korrupsionit dhe përpjekjet për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Agjencia Reuters raporton se kryeministri Edi Rama, në pushtet që nga viti 2013, synon një mandat të katërt, duke u mbështetur në rritjen ekonomike dhe përmirësimin e imazhit ndërkombëtar të Shqipërisë. Megjithatë, skandale të fundit, si arrestimi i kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, për korrupsion, kanë ngritur pikëpyetje mbi integritetin e qeverisë. Rama premton anëtarësimin në BE deri në vitin 2030, por ekspertët e konsiderojnë këtë afat si ambicioz, për shkak të nevojës për reforma të thella, veçanërisht në luftën kundër korrupsionit .

Associated Press thekson se zgjedhjet karakterizohen nga përballja midis Ramës dhe ish-kryeministrit Sali Berisha, i cili përballet me akuza për korrupsion dhe është subjekt i sanksioneve nga SHBA dhe MB. Berisha ka angazhuar strategë të fushatave të Donald Trump, si Chris LaCivita dhe Paul Manafort, duke adoptuar slogane si "Make Albania Great Again". Kjo përfshirje ka ngjallur debat mbi ndikimin e strategjive të huaja në politikën shqiptare

Al Jazeera shkruan “Rama, udhëheqës i Partisë Socialiste në pushtet që nga viti 2013, e ka pozicionuar veten si arkitekti i së ardhmes së Shqipërisë në BE. Ai është zotuar se vendi do t'i bashkohet bllokut deri në vitin 2030, duke përsëritur premtimin në tubimin e tij të fundit: "Ne do të marrim mandatin tonë të katërt dhe nuk do të humbasim asnjë ditë për Shqipërinë 2030 në BE".


Al Jazeera përmend gjithashtu se Sali Berisha është shpallur non grata nga SHBA për shkak të akuzave për korrupsion. Ndalet edhe te përpjekja e Berishës pët të tërhequr elektorat me Chris LaCivitën.

“Partia Demokratike solli strategun politik amerikan Chris LaCivita, i njohur për rolin e tij në fushatën e vitit 2024 të Presidentit të SHBA-së Donald Trump, në një përpjekje për të mprehur mesazhin e tyre.”


Washington Post i ka kushtuar gjithashtu një artikull zgjedhjeve në Shqipëri. Përveç premtimeve elektorale të të dyja partive, media amerikane ndalet edhe te korrupsioni ndërsa përmend se kryedemokrati është vetë nën hetim për korrupsion.

“Vetë Berisha është akuzuar për korrupsion dhe është në pritje të gjyqit. Në vitin 2021, qeveria amerikane ia ndaloi atij dhe të afërmve të tij të ngushtë hyrjen në vend për shkak të dyshimeve për korrupsion. Mbretëria e Bashkuar ndoqi shembullin në vitin 2022.”, thuhet në artikull.

Gazeta amerikane ndalet edhe te termat e përdorura gjatë fushatës.

“Rama e përshkroi Berishën si një "buf kënete" një metaforë për korrupsion - ndërsa Berisha e quajti Ramën një "kryegangster.", thuhet mes të tjerash në artikull.

Euronews e nis artikullin me epërsinë që ka Rama në sondazhe.

“Sondazhet tregojnë se Rama, i cili ka premtuar anëtarësim në BE në pesë vitet e ardhshme, ka një epërsi të madhe ndaj rivalit të tij të vjetër Sali Berishës, i cili është dobësuar nga një hetim për korrupsion.”/K.C/dritare.net