Foto/ Çfarë nuk u pa nga protesta e PD-së para Kryeministrisë!
Dritare.net

U mbyll me tensione protesta e opozitës e zhvilluar pasditen e sotme para Kryeministrisë në Tiranë, ku pas përfundimit të fjalimeve u shënuan përplasje me policinë dhe u hodhën bomba molotov drejt kordonëve të sigurisë.
Tubimi nisi i qetë, nën masa të forta sigurie nga policia, ndërsa zona përreth Kryeministrisë dhe bulevardi “Dëshmorët e Kombit” u bllokuan për qarkullimin.

Gjatë fjalës së tij, Sali Berisha sulmoi ashpër qeverinë, duke e akuzuar për korrupsion, lidhje me krimin dhe kapje të shtetit. Ai deklaroi se Kryeministria, Kuvendi dhe Surreli do të jenë pikat kryesore të protestave të ardhshme, duke theksuar se, sipas tij, “këto janë qendrat e krimit”. Berisha u shpreh se kryeministri nuk do të largohet me vullnet dhe se opozita do ta rrëzojë përmes protestave, por pa dhënë një datë konkrete për veprimet e radhës.

Pas përfundimit të fjalimit, situata u tensionua. Disa protestues hodhën bomba molotov drejt kordonit të policisë dhe hyrjes së Kryeministrisë, por flakët u shuan shpejt. Gjatë kaosit, një protestues u përfshi nga flakët pasi një molotov i shpërtheu në këmbë, duke shkaktuar panik mes turmës.

Protestuesit tentuan gjithashtu të thyenin kordonët e sigurisë, duke u përplasur fizikisht me efektivët e policisë, por situata u mbajt nën kontroll. Pak çaste më vonë, turma nisi të shpërndahej nga Kryeministria, duke marshuar drejt Ministrisë së Brendshme, ndërsa Berisha, i shoqëruar nga truprojat dhe mbështetësit e tij, u ndal për pak minuta pranë Kuvendit, ku qëndroi në heshtje.

Në galerinë më poshtë gjeni disa foto të LSA-së, nga ajo çfarë u pa dhe nuk u pa nga protesta e PD-së, para Kryeministrisë./K.C/dritare.net