Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Gjykata Administrative rrëzon padinë e aktores Anila Bisha ndaj Diellës

Gjykata Administrative rrëzon padinë e aktores Anila Bisha ndaj

Gjykata Administrative e Tiranës ka rrëzuar kërkesë padinë e aktores Anila Bisha, e cila kërkonte pezullimin e përdorimit të imazhit dhe zërit të saj nga ministrja virtuale “Diella”.

Në padinë e depozituar, Bisha synonte që të ndalohej përdorimi i të dhënave të saj personale nga Këshilli i Ministrave, AKSHI, kompania Apel Shpk dhe ministrja e Shtetit për Inteligjencën Artificiale, Diella, si dhe kërkonte një dëmshpërblim prej 1 milion eurosh për prishje imazhi.

Çështja u shqyrtua nga gjyqtari Armand Shkurta, i cili rrëzoi kërkesën, duke mos u njohur me pezullimin e përdorimit të avatarit “Diella”.

Sipas padisë, aktorja e Teatrit Kombëtar pretendon se imazhi dhe zëri i saj janë përdorur për krijimin e avatarit qeveritar pa miratimin e saj. Ajo thekson se kishte një kontratë që e autorizonte vetëm përdorimin e imazhit të saj si asistente virtuale për shërbimet e platformës e-Albania, dhe se shfaqja e “Diellës” si ministër është bërë në shkelje të kësaj kontrate.

Në dokumentin e depozituar në gjykatë, Bisha thekson se: “Krijimi i avatarit të Ministres Diella është realizuar pa marrë asnjë miratim paraprak, madje pa e vënë aktores në dijeni. Kjo ka rezultuar në sekuestrimin e të dhënave personale, duke krijuar një duplikat digjital të paditëses, përdorur në kundërshtim me ligjin.”

Aktorja ka kërkuar gjithashtu që deri në përfundimin e procesit gjyqësor, të dhënat e saj personale të mos përdoren më nga institucionet dhe kompanitë e përfshira./K.C/dritare.net