Gjyqi ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Hagë, sot fjala përmbyllëse e mbrojtjes së Thaçit
Dritare.net

Në Gjykatën Speciale në Hagë sot nis faza e fjalëve përmbyllëse të mbrojtjes në procesin gjyqësor ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK). Avokati i Hashim Thaçit, Luka Mishetic, do të fillojë paraqitjen e deklaratës përmbyllëse nga ora 09:00, në ditën e tretë të fazës përfundimtare të këtij procesi.
Një ditë më parë, më 10 shkurt, Zyra e Prokurorit të Specializuar përmbylli paraqitjen e saj, duke pretenduar se Thaçi kishte mashtruar ndërkombëtarët në disa raste dhe duke kërkuar që deklaratat e mbrojtjes lidhur me UÇK-në dhe rolin e ish-udhëheqësve të saj të shqyrtohen me kujdes. Sipas tyre, gjatë hetimeve janë administruar mbi pesë mijë prova materiale dhe janë intervistuar më shumë se 130 dëshmitarë.
Kryeprokurorja e Specializuar, Kimberly West, ka kërkuar dënim me nga 45 vjet burgim për secilin prej katër të akuzuarve – Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi – që në total arrin në 180 vjet burgim.
Pas Prokurorisë, fjalën përmbyllëse e paraqiti edhe mbrojtësi i viktimave, Simon Laws, i cili citoi deklarata të dëshmitarëve mbi dëmet e pretenduara dhe pasojat psikologjike që disa prej viktimave, sipas tij, vazhdojnë t’i përjetojnë. Ai theksoi se, ndonëse individë të caktuar mund të kenë kryer krime, kjo “nuk e bën UÇK-në organizatë kriminale”, duke shprehur pritjen që në vendimin përfundimtar të dëgjohet edhe zëri i viktimave pjesëmarrëse.
Gjatë kësaj dhe javës së ardhshme, Prokuroria, mbrojtja e viktimave, ekipet mbrojtëse dhe të akuzuarit do të kenë mundësinë e fundit për t’iu drejtuar trupit gjykues me parashtrimet e tyre.
Pas përmbylljes së deklaratave, çështja do t’i kalojë për vendimmarrje trupit gjykues, i cili ka tre muaj afat për të nxjerrë vendimin ose për të kërkuar zgjatje të këtij afati.
Thaçi, Veseli, Krasniqi dhe Selimi ndodhen në paraburgim në Hagë që nga nëntori i vitit 2020, ndërsa gjykimi ndaj tyre ka nisur më 3 prill 2023. Ata i kanë cilësuar akuzat si të pabazuara, ndërsa mbrojtja ka argumentuar se UÇK-ja nuk kishte strukturë të organizuar komanduese./L.F-dritare.net