Glauk Konjufca: Shqipëria dhe Kosova të financojnë bashkë mësuesit në Diasporë
Dritare.net

Në Samitin e Diasporës, Ministri i Jashtëm i Kosovës Glauk Konjufca ka kërkuar forcim të bashkëpunimit mes Kosovës dhe Shqipërisë në menaxhimin dhe mbështetjen e emigrantëve shqiptarë në mbarë botën. Ai theksoi se diaspora shqiptare është e shpërndarë në disa vende kryesore dhe se nevojitet një qasje e përbashkët institucionale për ta organizuar dhe fuqizuar më tej. Konjufca vuri në dukje se shqiptarët nga Shqipëria dhe Kosova dominojnë në shtete të ndryshme si SHBA, Greqi, Itali, Gjermani dhe Zvicër, duke kërkuar një strategji të unifikuar për ruajtjen e gjuhës, rrjetëzimin dhe kthimin e emigrantëve në vendlindje.
“Unë mendoj që arritja më e madhe do të ishte sikur së bashku me Shqipërinë, të mund të arrinim në këto shtete të dërgonim një numër të madh të mësimdhënësve që financiarisht mbulohen nga Republika e Shqipërisë dhe Republika e Kosovës që bashkërisht mirëmbajnë shkollën shqipe në vende e qytete ku është e përqendruar mërgata. Rrjetëzimi i mërgatës sonë, shumë projekt i rëndësishëm. Ne duhet të krijojmë ombrella të përbashkëta të të gjitha organizatave dhe shoqatave shqiptare. Na kanë ndihmuar shumë, por nëse duam ta ngrejmë përfaqësimin shqiptar dhe politizimin e mërgatës në kuptim shtetëror, është politizm pozitiv që na duhet. E treta, duhet ta lidhim mërgatën me vendin dhe kur jemi këtu mendoj që e kemi kaluar tashmë fazën folklorike të dimensionit të identitetit shqiptar. Ajo mirëmbahet në familjet tona, por për t’u kthyer këtu duhet diçka shtesë vetëm prej emocionit që na shkakton ndjenja e të qenit shqiptarë. Ajo nuk mjafton. Ajo të bën vizitor një herë, dy ose tri herë në vit, por për të parë një perspektivë pas 30 vjetësh që ke jetuar në SHBA dhe të kthehesh në Shqipëri, duhet diçka më shumë. Këtë duhet ta zbulojmë së bashku”, tha Konjufca./K.C/dritare.net