Greva në Rinas/ Meta thirrje Ramës: Thirri mendjes! Mos bëj lojëra se nuk jemi në Amerikën Latine!
Dritare.net
Presidenti i vendit Ilir Meta nga Vlora foli për grevën në Rinas. Meta u shpreh se në fund të marsit takoi kontrollorët dhe u kërkoi që të vazhdojnë punën. Por ata nuk e dëgjuan dhe sot nisën grevën. Në këtë situatë Meta ftoi kryeministrin Edi Rama dhe Ministren e Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku për një bisedë. Nga ana tjetër Meta u bën thirrje Ramës që të mos bëjë lojëra e provokojë në këtë situatë.
“Është një mesazh shumë i gabuar dhe një lënie nervash nga të dyja palët. Prej më shumë se 10 muajsh Sindikata për Kontrollorët Ajror ka ngritur pretendimet e saj zyrtare dhe me shkresa, jo ndaj zyrtarëve, por edhe ndaj institucioneve të tjera dhe partnerëve ndërkombëtar dhe institucioneve ndërkombëtare. Ato janë të vëmendshme për të gjitha situatat që lidhen me sistemin ajror. S’ka pasur dialog mes përfaqësuesve të ministrisë dhe Sindikatës. Duke parë situatën si pa zgjidhje, duke dashur për t’i dëgjuar drejtpërdrejtë, në 31 mars i kam pritur në një takim. Ata nënvizonin faktin se të drejtat e tyre ishin cenuar, në bazë të kontratave të veçanta dhe kundërshtonin pezullimin e të drejtave të fituara për një periudhë të pacaktuar. Prej më shumë se 10 muajsh sipas tyre s’kishin marrë asnjë përgjigje sipas ligjit nga institucionet dhe pretendimet. Jemi drejtuar pjesërisht ministres së Infrastrukturës, Albcontrol, dukë vënë në dijeni dhe partnerët ndërkombëtar, se kjo situatë duhej pasur me vëmendje, pasi mund të mbarte rreziqe të mbarëvajtjes së hapësirës ajrore. Sidomos në kushtet kur do të nisë dhe përgatitja e stërvitjes së përbashkët mes NATO-s, ku trafiku ajror në vendin tonë do të rritet ndjeshëm. I kam kërkuar me përgjegjshmëri të plotë dhe i kam bërë apel kontrollorëve që të vazhdonin punën pa ndërprerje, pasi hapësira territoriale është çështje jetike. Kam kërkuar zyrtarisht që organet drejtuese dhe qeveria t’i japin zgjidhje përmes dialogut në përputhje me rregullat dhe duke iu referuar praktikave më të mira të vendeve fqinje.
Presidenti më 2 prill kërkon marrjen e masave për zgjidhjen e situatës, ministrisë së transporteve, ministria nuk angazhohet për të zgjidhur situatën, por për të shantazhuar më tej kontrollorët dhe duke nisur procedurat e shkarkimit të disa prej tyre. Pas nisjes së disa shkarkimeve kanë filluar dhe largimet në masë nga puna. Kam një pyetje për ministren e transportit që sot doli për të provokuar dhe akuzuar Presidentin e Republikës? Si shpjegohet që për 10 muaj me radhë për një çështje të sigurisë kombëtare nuk gjete kohën të takoheshe me kontrollorët?
Si shpjegohet që ato letrat për koncesionin e aeroportit të Rinasit, i bëre për një ditë? AlbControli ka një llogari financiare në EuroControl në të cilën derdhen të ardhurat, nëse ka ndonjë problem në bllokimin e një llogarie të tillë duhet të jepet arsyeja dhe duhet punuar për gjetjen e një zgjidhje të pranueshme. Në këtë moment delikat dua të shpreh keqardhjen time për veprimin e atyre kontrollorëve, qoftë të atyre që janë provokuar, qoftë të atyre që janë larguar nga puna, por në radhë të parë dua t’i bëj thirrje kryeministrit në detyrë t’i thërrasë mendjes sepse nuk mund të bëhen lojëra të tilla në një moment të tillë për gjithë arsyet që përmenda dhe nuk jemi në Amerikën Latine të para disa dekadave, prandaj unë nuk e humbas durimin dhe nuk shqetësohem nga provokimet e qëllimshme që bëhen, të cilat në fakt kanë vetëm një problem, dramën e zgjedhjeve pluraliste që një mendje e marrë përjeton për ato që do të vijnë, të cilat do të bëhen dhe nuk e luan topi”.”, tha Meta./K.C/dritare.net