

Shkronja “ë” nuk ekziston në gjermanisht. Në shqip, ajo është më e shpeshta, por në fund të fjalës shpesh mbetet e padëgjueshme, si një frymëmarrje e lehtë që nuk kërkon vëmendje. Ashtu si zëri i figurës kryesore në romanin “ë” të Jehona Kicajt: i heshtur, por i fuqishëm.
Romani flet për bruksizmin një forcë që mund të copëtojë lëndën më të fortë të trupit njerëzor, zmaltin. Zakonisht shfaqet tek ata që kanë mësuar të ndrydhin dhimbjen.
“Të tregosh mungesën e fjalës përmes letërsisë është sfida më e madhe,” thotë Jehona Kicaj në një intervistë për DW. “Këtë kam dashur të bëj në këtë roman.”-shprehet ajo.
Heshtja e një vajze të ikur nga lufta.
Personazhi kryesor është një vajzë që në vitin 1998 largohet nga Kosova me familjen e saj për t’u bashkuar me babanë, i cili punonte në Gjermani. Në atë kohë, në Kosovë ndodhnin masakra kundër popullsisë shqiptare, ndërsa në Gjermani diskutohej nëse vendi duhej të merrte pjesë në ndërhyrjen e NATO-s kundër Millosheviqit.

Në Gjermani përpiqet të gjejë miq, por sikur e ka gjuhën të lidhur. Nuk është vetëm gjuha e huaj që e ndan nga bashkëmoshatarët, por edhe kujtimet që ka sjellë me vete. Janë kujtime që njerëzit preferojnë t’i harrojnë. "Nuk po m’kujtohet“- një nga fjalitë e shpeshta të së ëmës.
Vite më vonë, si e rritur, përpiqet të kuptojë heshtjen e asaj kohe. Kthehet në Kosovë, hap albumet e vjetra të fotografive, bisedon me Shpresën, kushërirën që e ka përjetuar luftën nga afër, ndjek një kurs për identifikimin e kufomave në varret masive, flet me një mik të studimeve, Eliasin, që ka dëgjuar për luftën vetëm nga televizori. Nga këto takime lind një rrëfim me shumë zëra për ata që e kanë përjetuar luftën, kanë debatuar mbi të dhe ata që kanë heshtur.
Krime jashtë imagjinatës njerëzore
Jehona Kicaj ka lindur në vitin 1991 në Suharekë dhe ka ardhur në Gjermani kur ishte ende e vogël. Ajo thotë se vjen nga një familje punëtorësh pasionin për letërsinë e ka zbuluar në orët e gjermanishtes.
"Në shkollë kuptova se sa shumë mund të të ndryshojë letërsia,“ kujton ajo.
Shkrimtari që e ka frymëzuar më shumë është Heinrich von Kleist.
"Prej tij mësova se njerëzit mund të flasin edhe pa fjalë me gjeste, me trup, me heshtje,“ thotë Kicaj.
Në romanin "ë" flasin edhe eshtrat e të zhvarrosurve nga varret masive të luftës së Kosovës. Jehona Kicaj kujton se hulumtimi për krimet e luftës ka qenë emocionalisht shumë i rëndë.
“Disa ngjarje ishin tërësisht jashtë imagjinatës së një njeriu” - kujton ajo.
Fakti që libri u nominua për çmimin më të rëndësishëm gjerman, Deutscher Buchpreis, e gëzon sidomos për shkak të faktit që tani më në fund ky kapitull i dhimbshëm po merr kaq shumë vëmendje.
“Për këtë luftë flitet shumë pak si në Kosovë, si në vendet ku sot jetojnë kosovarët që u larguan atëherë, si në Zvicër, në Austri, por edhe në Gjermani. Por përvojat e asaj kohe jetojnë ende në njerëz edhe tek brezi i fëmijëve të tyre.

Perspektiva e diasporës
Prandaj ajo e tregon luftën nga perspektiva e fëmijës së diasporës. Si botuese dhe bashkëthemeluese e shtëpisë botuese Resonar Verlag në Hanover, ajo edhe më parë është marrë me këtë temë në një libër për gastarbeiterët dhe fëmijët e tyre.
Në "ë" shumë fjali janë lënë në shqip, madje në dialekt. Kush nuk e njeh gjuhën, pengohet për një çast. Por kjo është pikërisht ideja edhe pse fjalia përkthehet, ajo në origjinal mbetet si një gur pengese dhe njëkohësisht një ftesë për të hyrë në një botë të panjohur.
Ndoshta nuk është rastësi që babai i personazhit kryesor nuk është refugjat lufte, por punëtor emigrant. Ai i përket asaj gjenerate që Gjermania e shihte për shumë vite vetëm si fuqi punëtore njerëz që do të vinin, do të punonin dhe pastaj do të ktheheshin. Por ata qëndruan, krijuan familje, ndërtuan jetë të reja. Politika gjermane dikur e pranoi këtë gabim dhe u përpoq ta korrigjonte me refugjatët e luftës së Sirisë: atyre u ofroi kurse integrimi, për të kuptuar Gjermaninë. Por as këta nuk u pyetën për historitë që sjellin me vete.
Romani "ë" e ndryshon drejtimin dhe tregon se integrimi nuk është një detyrim i njëanshëm por një përvojë e përbashkët./dritare.net

















