Na ndiqni edhe në

Kosova dhe Rajoni

Në cilat komuna do të ketë balotazh!

Në cilat komuna do të ketë balotazh!

Kosova ka përmbyllur dje me sukses procesin e votimit në zgjedhjet lokale. Në shumicën e komunave rezultatet preliminare janë shpallur në platformën zyrtare të KQZ teksa janë numëruar pjesa më e madhe e votave.

Duke nisur nga kryeqyteti shumë komuna të Kosovës, kryetarin e ri do ta përcaktojnë në balotazh. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka gjeneruar 98.88% të numërimit të votimeve në kryeqytet.

Nga 268 votimi janë numëruar gjithsej 265, teksa kanë mbetur pa numëruar edhe 3 kuti.

Aktualisht në kryqytet prin kryetari aktual, Përparim Rama nga LDK me 33.76%, Hajrulla Çeku nga LVV i dyti me 33.05%, Uran Ismaili nga PDK me 27.77%, Bekë Berisha 3.12% dhe Besa Shahini 1.55%.

Nga ky rezultat Prishtina shkon në balotazh me Përparim Ramën nga LDK dhe Hajrulla Çekun nga LVV.

Në Prizren, Shaqir Totaj i PDK-së dhe Artan Abrashi i LVV-së do të garojnë në raundin e dytë. LVV do të garojë për kryetar të Pejës në raundin e dytë edhe në Pejë, ku përballë Taulant Kelmendit do të jetë Gazmend Muhaxheri i LDK-së.

Garë mes këtyre dy partive do të ketë edhe në Fushë Kosovë, aty ku Besnik Osmani nga LDK do të garojë me Valon Prebrezën nga LVV.

Në Junik, Ruzhdi Shehu i LDK-së garon me Agron Kuçin e AAK-së në balotazh. LDK në balotazh do jetë edhe në Dragash me Behxhet Xheladinin ku përballë tij do jetë Shaban Shabani i PDK-së. Në Gjakovë, Ardian Gjini nga AAK do të garojë me Ardian Golën e LVV-së.

Në Kaçanik Sabedin Vishi nga PDK garon me Jeton Rakën e LVV-së. Garë mes PDK dhe LVV do ketë edhe në Mitrovicë të Jugut, aty ku Faton Peci nga LVV garon në balotazh me Arian Tahirin e PDK-së.

Në Rahovec Smajl Latifi nga AAK garon me Ali Dulën e LVV-së. AAK në balotazh do jetë edhe në Suharekë me Bali Muharremajn i cili do të ballafaqohet me Ardian Shalën e LDK-së.

Në Viti Sokol Haliti nga LDK garon me Arsim Ademin e LVV-së. Vushtrria do të zgjedh mes Ferit Idrizit të PDK-së dhe Sylejman Mehollit të LVV-së. Në Obiliq Xhafer Gashi i LDK-së garon me Halil Thaçin e LVV-së.

Klina do të zgjedhë mes Zenun Elezajt të AAK-së dhe Sokol Bashotës së PDK-së. Në Kllokot përballen Bozhidar Dejanoviq nga Lista Serbe dhe Sreqko Spasiq nga Uniteti Kombëtar Serb.

Kujtojmë se KQZ do të numërojë votat nga diaspora dhe votat me kusht./kosovapress