Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

I arrestuar me urdhër të SPAK për vrasjen e 4 personave, Altin Ndoci arratiset nga Spitali i Durrësit!

I arrestuar me urdhër të SPAK për vrasjen e 4 personave, Altin

Altin Ndoci, i paraburgosur në burgun e Durrësit, është arratisur gjatë shoqërimit për marrjen e ndihmës mjekësore në Spitalin Rajonal të Durrësit.

Ngjarja ka ndodhur ndërsa Ndoci ishte dërguar në repartin e Infektivit për kryerjen e vizitave mjekësore. Sipas njoftimit zyrtar të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, procedurat mjekësore janë zhvilluar në repartin e posaçëm të sigurisë për të dënuarit, por pavarësisht kësaj, i paraburgosuri ka arritur të largohet nga ambientet e spitalit.

“Paraburgosuri Altin Ndoci është larguar nga ambientet e Spitalit Rajonal të Durrësit, ku ishte shoqëruar për kryerjen e vizitave mjekësore. Pavarësisht ndërhyrjes së menjëhershme nga forcat e Policisë së Burgjeve për ndalimin e tij, ai ka arritur të largohet,” thuhet në njoftimin zyrtar.

Menjëherë pas arratisjes, strukturat e Policisë së Burgjeve dhe ato të Policisë së Shtetit janë vënë në lëvizje dhe po punohet intensivisht për lokalizimin dhe kapjen e tij, si dhe për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.

Altin Ndoci mbahej i paraburgosur që prej muajit maj të vitit 2020 me urdhër të SPAK. Ai akuzohet për vrasjen e Besmir dhe Viktor Haxhisë, Dorjan Shkozës dhe Anxhelo Avdisë.

Autoritetet nuk kanë dhënë ende detaje të tjera mbi mënyrën e arratisjes apo përgjegjësitë institucionale./L.F-dritare.net