
Kali i Trojës së SHBA-së, për të rrëzuar përgjithmonë binomin Berisha-Meta!
Dritare.net
Kreshnik Spahiu i ftuar në emisionin Shqip nga Rudina Xhunga në DritareTv komentoi qëndrimin mbështetës të SHBA-së për komisionin e ngritur me bashkëpunimin e qeverisë dhe grupit të Rithemelimit për luftën kundër korrupsionit. Spahiu thotë se SHBA nuk ka ndryshuar qëndrim ndaj Berishës, por ka ndryshuar taktikën për të asgjësuar Berishën politikisht. Dhe kjo sipas tij do të bëhet përmes këtij komisioni.
“Nuk mendoj që rezoluta për të ngritur një komision bashkëpunimi qeveri-opozitë për luftën kundër luftës ndaj korrupsionit është një truk i Ramës dhe Berishës për t ë penguar SPAK-ut. Ky mund të jetë një truk i tyre, dhe jo vetëm i Ramës dhe Berishës por i të gjithë politikanëve që ndjehen të rrezikuar nga drejtësia dhe e ndjejnë se e afërt mund të jetë dita e përballjes me SPAK. SPAK-u sot është bërë opozita kryesore në Shqipëri, është bërë pengesa kryesore për establishmentin e vjetër, është bërë një minë me sahat për të korruptuarit.
Unë mendoj që atë që i ka bërë SPAK-u, Partisë Socialiste nuk ia kanë bërë dot 1000 protesta të opozitës që nga 1990-ta. SHBA-ja ka një lloj ndryshimi në qëndrim, që duket sikur janë pro marrëveshjes Berisha-Rama. Sikur janë pro njohjes së grupit të Berishës, sikur janë pro faktorizimit në çdo reformë, në atë zgjedhore, amnistia, përpjekjet e Komisionit Hetimor.
Ka ndryshuar qëndrim SHBA-ja kundër Berishës, apo ka ndryshuar taktikën për të asgjësuar Berishën dhe Metën?
Në dukje opozita do jetë pro kësaj rezolute. Sepse ajo kërkon që të faktorizohet që të njihet nga një sistem nga i cili kishte dalë, nga disa faktorë që e kanë izoluar. Por ata do të jenë të kujdesshëm dhe nuk do e nënshkruajnë pa marrë një garanci, sepse kjo rezolutë, ky komision mund të jetë kurthi, Kali i Trojës ku ata të bien brenda dhe të mos dalin më. Unë parashikoj që ata me duart e tyre do të nënshkruajnë funeralin e tyre politik. Pra SHBA-ja po detyron ata deputetë të opozitës që janë bashkuar me Sali Berishën të nënshkruajnë një projekt të ri që do jetë funerali liderëve të cilët ata i kanë shpallur non-grata dhe i kanë paralajmëruar duke u thënë që: Po të vazhdoni me ta do të hani bar! Unë mendoj që SHBA-ja nuk do të heqë dorë nga izolimi që i ka bërë liderëve dhe as nga marrja nën kontroll e opozitës. Ata e konsiderojnë Partinë e Demokratike të 1990-ës asetin e tyre, investimin e tyre në demokraci.”, tha Spahiu në DritareTV./L.F/dritare.net

















