Kërkohet arrestimi i Ballukut, sot mblidhet Këshilli i Mandateve!
Dritare.net

Këshilli i Mandateve dhe Imunitetit do të mblidhet sot për të shqyrtuar kërkesën e SPAK për autorizim për arrestimin e numrit 2 të qeverisë, Belinda Balluku. Partia Demokratike dhe kryeparlamentari Niko Peleshi më herët janë përfshirë në debate sa i takon USB-ës, e cila është kyçur në kasafortën e protokollit me argumentin se materialet janë sekret hetimor. Gjatë mbledhjes pritet të diskutohet, edhe me prokurorët e SPAK, se si do të trajtohen këto materiale.
Ndërkohë, në relacionin e dorëzuar në Kuvend për heqjen e imunitetit të Ballukut, SPAK rendit edhe arsyet se përse kërkon arrestimin e saj. Balluku dyshohet se ka manipuluar 12 tenderë me vlerë 1.2 mld euro, u ka bërë presion dëshmitarëve dhe rrezikon të bëjë krime më të rënda për shkak të personalitetit, renditet në relacionin e SPAK.
Në mbledhjen e sotme, zv.kryeministrja ka të drejtë të paraqitet vetë ose me avokat mbrojtës për t'u mbrojtur. Ndërkohë, në mbledhje marrin pjesë dhe prokurorët e SPAK që paraqesin provat se pse duan ta arrestojnë zëvendëskryeministren që ka edhe mandat deputeti.
Rregullorja e Kuvendit nuk ka afat se kur duhet ta mbyllë shqyrtimin. Nga mbledhja e fundit e Këshillit, janë maksimumi 2 javë kohë për hartimin e raportit, i cili duhet të votohet në seancën më të parë.
Ligji ka vetëm një parashikim 3 mujor, brenda të cilit, nëse nuk merret një vendim, kërkesa e prokurorisë rrëzohet.
Kujtojmë që një ditë më parë, Apeli i GJKKO-së la në fuqi masën e ndalimit të daljes jashtë shtetit të Ballukut, ndërkohë nuk mori në shqyrtim ankesën për pezullimin nga detyra, për t’i dhënë kohë Kushtetueses për tu shprehur për ankimin e kryeministrit Rama./E.P-dritare.net