Belinda, koha t’i dalë zot vetes dhe kursejë hallet PS-së
Dritare.net

Nga Dritan Hila
Në një kohë normale nuk do ishte normale që Balluku të jepte dorëheqjen për një akuzë të prokurorisë. Mirëpo kohët nuk janë fare normale. Qeveria e Ramës ndodhet në breshërinë e problemeve dhe një pjesë e madhe e tyre janë me prejardhje nga dikasteri i Ballukut apo njerëzit e përzgjedhur prej saj. Tenderë të dyshimtë, rrugë që vithisen apo shemben, tunele me kosto dhe siguri të dyshuara, janë problemet që po zënë faqet e medias dhe përbëjnë akuzat e opozitës. Dhe të gjitha këto kërkojnë përgjigje.
Deri tani ka qenë Rama i cili ka marrë përsipër mbrojtjen e zëvendëses së tij. Është ai që po përballet në daljet mediatike dhe iniciativat ligjore. Publiku ende nuk ka parë një dalje të Belinda Ballukut në mbrojtje të punës së saj. Dhe kjo është e nevojshme më tepër se kurrë tani, pasi jo për të gjitha fajtore është ajo, por askush më mirë se ajo mund të justifikojë veten. E vërtetë që ka një kohë të gjatë si ministre por disa prej projekteve janë negociuar dhe iniciuar prej të tjerëve. Po ashtu, akuzat duhen marrë me rezervë, të paktën copëzat që publikohen, pasi mund të jenë nxjerrë nga konteksti apo luhet me mjegullën që krijohet kur manipulohen. Sidomos për këtë të fundit kujdeset opozita.
Por tashmë këto mund t'i hedhë poshtë vetëm Belinda Balluku. Ajo duhet të përballet në interpelancë, në media, dhe të thotë variantin e saj. Dhe kur themi përballje, nuk bëhet fjalë për xhirime të tipit “soap opera” në tunel, por analizë të akuzave.
Balluku është njeriu realisht më i fuqishëm në PS e cila ka përcaktuar jo pak ministra e deputetë dhe akoma më shumë kanë kaluar në filtrin e saj. Tani është koha që publiku të dijë kujt ia ka besuar çelësat dhe pjesën e luanit të fondeve të shtetit shqiptar. Balluku nuk është vetëm administratore publike por edhe përfaqësuese politike, dhe si e tillë duhet të shfaqë kapacitetet e saj. Në të kundërt, mbrojtja nga Rama dhe PS pa një betejë të vetë Ballukut, do shndërrohet në kosto.
Po ashtu vlen edhe pozicioni nga do ta bëjë këtë mbrojtje. Është e qartë që nëse vazhdon të këmbëngulë në qëndrimin e saj në qeveri, kostot do jenë shumë të mëdha për qeverinë, PS-në dhe vetë integrimin e vendit. Një dorëheqje e saj do të ishte akt force. Një qëndrim nën mburojën e Ramës, mund të çonte në zhvillime të paparashikueshme dhe vetëm se forcon perceptimin publik se zonja ka bërë zullume të cilat as nuk mundet t’i mbrojë e as nuk di t’i mbrojë./dritare.net