Kryeministri Rama shtron iftar: Agjërimi i mëson njeriut durimin, si të zbusë shpellarin brenda vetes
Dritare.net

Kryeministri Edi Rama dhe bashkëshortja e tij, Linda Rama, kanë organizuar një Iftar të veçantë për besimtarët myslimanë, për të nderuar muajin e Shenjtë të Ramazanit. Në darkë morën pjesë figura të rëndësishme të jetës publike dhe politike, përfshirë Presidentin Bajram Begaj, liderin shpirtëror të Bektashinjve, Baba Mondi, ambasadorët e Gjermanisë dhe Italisë në Tiranë, artistin Laert Vasili, si dhe shumë anëtarë të Partisë Socialiste, mes tyre Toni Gogu, Erion Braçe, Sara Mila, Ervin Demo, Ulsi Manja dhe Igli Hasani.
Në fjalën e tij, Kryeministri Rama uroi të ftuarit dhe nënvizoi rëndësinë e bashkimit dhe respektit reciprok gjatë muajit të shenjtë:
“Të dashur miq dhe të ftuar. Agjërues, besimtarë dhe jo-besimtarë. Ju uroj të gjithëve mirëseardhjen në sofrën tradicionale të Iftarit, që sëbashku me Lindën e shtrojmë me kënaqësi në nderim të vlerave dhe traditës së ripërtërirë të muajit të Shenjtë të Ramazanit. Sofra e Iftarit është e vetmja sofër ku je edhe shtrues, edhe i shtruar, edhe zot shtëpie edhe mik. E di që mbledh apo mblidhesh, por është diçka sipërane që bashkon, Zoti, Allahu, universi.”
Rama shtoi se ligji i padukshëm i kësaj sofre është bashkimi dhe respekti mes njerëzve, ndërsa agjërimi mëson durimin dhe harmoninë me të tjerët:
“Agjërimi i mëson njeriut durimin e vetëvetes dhe rrugën e zbutjes së paraardhësit të vet të parë, shpellarit që ka brenda vetes. Ai çast bëhet dinjiteti kur buka ndahet mes të tëra duarve.”, tha Rama./K.C/dritare.net