
Dhimitër Anagnosti: Nga Vunoi në piedestalin e kinemasë
Dritare.net
Sot, më 1 shtator 2025, u nda nga jeta në moshën 89-vjeçare një nga figurat më të mëdha të artit dhe kulturës shqiptare, kineasti i njohur Dhimitër Anagnosti. Lajmin e hidhur e bëri të ditur vajza e tij, Juna Anagnosti, e cila përmes një mesazhi prekës shkroi: “Lamtumirë Dhimitër Anagnosti, regjisori i jetës sonë! Pas një lëngimi të gjatë ju binde ligjit të jetës! Lamtumirë babush!”
Një jetë e kushtuar artit
I lindur më 23 janar 1936 në Vuno të Himarës, Anagnosti u diplomua në Institutin e Kinematografisë “VGIK” në Moskë dhe që në hapat e parë u dallua si një talent i jashtëzakonshëm. Filmi i tij i diplomës, “Njeriu kurrë nuk vdes”, i realizuar së bashku me Viktor Gjikën, u nderua me çmimin e parë në Festivalin Botëror të Shkollave Kinematografike në Holandë (1961).
Në vijim të karrierës së tij, ai solli disa nga kryeveprat e kinematografisë shqiptare si: Komisari i dritës, Dueli i heshtur, Plagë të vjetra, Malet me blerim mbuluar, Cuca e maleve, Lulëkuqet mbi mure, Monumenti, Në shtëpinë tonë, Përrallë nga e kaluara, Kthimi i ushtrisë së vdekur dhe më i fundit Gjoleka, djali i Abazit (2006).
Në total, gjatë 40 viteve të punës krijuese, ai realizoi 14 filma artistikë dhe 10 dokumentarë, duke u vlerësuar me shumë çmime kombëtare dhe ndërkombëtare.
Angazhimi publik dhe kulturor
Përveç krijimtarisë, Anagnosti dha kontribut edhe në jetën shoqërore e politike. Në fillim të viteve ’90 ai u angazhua në lëvizjen demokratike, u zgjodh deputet i Partisë Demokratike dhe shërbeu si Ministër i Kulturës, Rinisë dhe Sporteve nga viti 1992 deri në dhjetor 1994. Pas largimit nga politika, themeloi Fondacionin për Artin dhe Kulturën “Fan Noli”, duke mbështetur intelektualët dhe artistët shqiptarë.
Nderime dhe vlerësime
Për veprën e tij të pasur, Dhimitër Anagnosti u nderua me titujt më të lartë, mes tyre “Artist i Popullit” (1987) dhe “Nderi i Kombit”. Filmat e tij vazhdojnë të mbeten një pasuri e çmuar artistike, që frymëzon breza të tërë.
Një trashëgimi që nuk shuhet
Me ndarjen nga jeta të Dhimitër Anagnostit, Shqipëria humbi jo vetëm një regjisor të madh, por edhe një personalitet të rrallë që mbrojti me kurajë artin, kulturën dhe mendimin e lirë. Trashëgimia e tij filmike dhe humane do të mbetet gjithmonë një gur themeli i identitetit kulturor shqiptar./L.F-dritare.net

















