Kuvendi miraton rezolutën për shpalljen e Iranit shtet sponsor të terrorizmit
Dritare.net

Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar me 79 vota pro dhe 1 abstenim një rezolutë që shpall Iran si shtet sponsor të terrorizmit.
Rezoluta, e propozuar nga Partia Socialiste e Shqipërisë, i kërkon qeverisë shqiptare që, menjëherë pas miratimit, të ndërmarrë hapa për të shpallur organizata terroriste Hezbollah dhe Islamic Revolutionary Guard Corps (Pasdaranët).
Në dokument dënohen gjithashtu sulmet kibernetike të Iranit ndaj institucioneve shqiptare, përfshirë sulmin e fundit ndaj Kuvendit. Rezoluta u bën thirrje vendeve demokratike dhe organizatave ndërkombëtare të ndërmarrin masa të koordinuara kundër terrorizmit të sponsorizuar nga shtetet dhe të forcojnë bashkëpunimin në këtë drejtim.
Kjo nismë ishte paralajmëruar më herët nga kryeministri Edi Rama, i cili e ka cilësuar si një hap të domosdoshëm për sigurinë kombëtare.
Nga ana tjetër, Partia Demokratike e Shqipërisë bojkotoi seancën parlamentare, duke argumentuar se nuk ishte miratuar rendi i ditës. Në sallë ishin vetëm deputetët Redi Muçi dhe Erald Kapri; ky i fundit votoi pro rezolutës, ndërsa Muçi abstenoi.
Rezoluta u fut në rendin e ditës pas mbledhjes së Konferencës së Kryetarëve dhe u konsiderua nga socialistët si një “nevojë urgjente”, ndërsa opozita e kundërshtoi procedurën e ndjekur./L.F-dritare.net