
Liria ka emër! Sot protesta për ish-krerët e UÇK që mbahen në Hagë!
Dritare.net

Sot, Tirana pritet të gumëzhijë nga thirrjet për drejtësi në mbështetje të ish-udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët po përballen me drejtësinë në Hagë, të akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Protesta mbarëkombëtare do të zhvillohet në orën 17:00, në sheshin “Skënderbej”.
Kryetari i OVL-UÇK, Hysni Gucati, në një konferencë për media më 14 tetor, bëri të ditur se në këtë tubim do të flasin ish-presidenti i Shqipërisë, Alfred Moisiu, dhe kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti. Ai gjithashtu njoftoi se nga Kosova drejt Tiranës do të nisen 60 autobusë me pjesëmarrës.
Në protestë pritet të jenë të pranishëm edhe figura të tjera të njohura, mes tyre Alfred Moisiu dhe drejtues të mazhorancës socialiste, pasi kreu i grupit të PS-së, Taulant Balla, ka konfirmuar se deputetët socialistë do të marrin pjesë në tubim.
Nga ana tjetër, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka bërë të ditur se Rruga e Kombit do të jetë pa pagesë për 24 orë, për të lehtësuar qarkullimin e qytetarëve.
Partia Demokratike ka njoftuar se nuk do të marrë pjesë në protestë, përjashtuar Fatmir Mediun, i cili në seancën plenare të djeshme deklaroi se do të jetë i pranishëm në tubim.
Edhe Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka shprehur mbështetjen e saj për protestën, duke theksuar se lufta e UÇK-së ishte e drejtë dhe çlirimtare.
Kryetari i Bashkisë së Prishtinës, Përparim Rama, dhe nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, po ashtu kanë njoftuar se do t’i bashkohen protestës në Tiranë. Rama ka firmosur një vendim që garanton transport falas për veteranët e UÇK-së që udhëtojnë drejt Shqipërisë.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, përmes faqes zyrtare të Lëvizjes Vetëvendosje, ka bërë publike qëndrimin e tij për protestën, duke mos kursyer kritika ndaj homologut të tij shqiptar, Edi Rama. Megjithatë, duhet theksuar se protesta nuk është organizuar nga qeveria shqiptare, por nga Organizata e Veteranëve të UÇK-së, e cila ka ftuar në pjesëmarrje të dy krahët politikë në Shqipëri – si PS-në, ashtu edhe PD-në.
Procesi gjyqësor ndaj ish-presidentit Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarëve Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi, si dhe ish-deputetit Rexhep Selimi, ka nisur më 3 prill 2023 në Hagë. Ata akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, akuza që i kanë hedhur poshtë kategorikisht.
Një protestë e ngjashme u mbajt më 14 shtator, në Hagë, një ditë para dëgjimit të dëshmitarit të parë të mbrojtjes, ish-ndihmëssekretarit amerikan të Shtetit, James Rubin. Ajo protestë mblodhi rreth 10 mijë shqiptarë nga e gjithë bota, të cilët kërkuan drejtësi për udhëheqësit e UÇK-së./E.P-dritare.net

















