Lufta në Ukrainë/ Flet Arben Çuko: Pse dështoi Rusia!
Dritare.net
Sot shënohet 1 vit nga pushtimi i Rusisë në Ukrainë. Eksperti i sigurisë Arben Çuko u shpreh sot në emisionin “Shqip” nga Dritan Hila në Dritare Tv se Rusia ka dështuar si nga ana strategjike dhe operacionale, në luftën me ukrainasit. Ai renditi disa arsye se përse dështoi Rusia.
“Rusia për mendimin tim ka dështuar. Nga ana strategjike ka humbur. Prestigji i saj si superfuqi, si fuqia e dytë ushtarake më e madhe në botë, ka rënë. Ka pësuar një lloj izolimi te konsiderueshëm si shtet. Ekonomikisht çfarëdo përpjekje qe të bëjnë ata, prapë ekonomikisht ata kanë pësuar dëme të mëdha. Por ne momentin që Evropa do të heqë dorë nga varësia totale ndaj Rusisë do të këtë akoma goditje të rëndë ekonomike dhe ç’është më e kryesorja që ka dalë gjatë këtij viti lufte është që Rusia deri më tani është mbështetur mbi dy kolona. Për të zhvilluar teknologjinë e vet, kolona e energjisë dhe e dyta kolona e armatimit. Rusia deri sot që po flasim kaq qenë vendi i dytë në botë me 24 miliardë dollarë shitje. Unë besoj që kjo shtyllë është tronditur thellësisht. Sepse shtetet do bëjnë mirë llogaritë kur të blejnë tanket ruse, transportuesit e blinduar. Në vend të mbrojtjes ato po kthehen në kurthe për vdekjen e ushtarëve. Pra ky është rrafshi strategjik. Në rrafshin operacional, ishte dështimi më i madh. I gjithë mekanizmi i shteti rus, dështoi në planin e operacional të pushtimit të Ukrainës. Kur them mekanizmin këtu futen shërbimet e fshehta, ushtria, shërbimi diplomatik.”, tha eksperti në Dritare Tv./K.C/dritare.net