Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Mamaja e Ilaria Sulës: Për lamtumirën e fundit i bleva vajzës sime një fustan princeshe

Mamaja e Ilaria Sulës: Për lamtumirën e fundit i bleva

Në një intervistë të dhimbshme për emisionin Verissimo, prindërit e Ilaria Sulës, Gezime Sula dhe Flamur Sula, rrëfejnë momentet e tmerrshme që përjetuan pas zhdukjes së vajzës së tyre më 25 mars 2025 dhe zbulimit tragjik të vrasjes së saj.

Ata tregojnë se si Mark Samson, pasi kishte fshehur trupin e vajzës, inskenoi largimin e saj vullnetar duke dërguar mesazhe nga telefoni i Ilaria-s për familjarët dhe miqtë. Në rrëfimin e tyre, prindërit kujtojnë ditët e ankthit, momentin e gjetjes së trupit dhe dhimbjen e pashërueshme që la pas kjo tragjedi, ndërsa kërkojnë drejtësi për të bijën.

“25 marsi 2025 ishte dita e fundit kur kemi kontaktuar me Ilaria-n. Për ne, ajo u vra atë ditë,” thanë Gezime dhe Flamur Sula, të bindur se vrasja ishte e parapërgatitur, ndryshe nga ajo që deklaroi Mark Samson në gjykatë. “Ai e kishte parashikuar gjithçka,” shtuan prindërit.

Prindërit e Ilaria-s alarmuan autoritetet kur nuk e panë vajzën të zbresë nga treni që duhej ta kthente në shtëpi nga Roma, ku studionte. “Shkuam në Romë dhe bëmë denoncimin. Në polici takuam Mark-un. Ai më tha: ‘Më vjen keq që u njohëm në këtë situatë’.

Më tregoi se nuk e kishte parë Ilaria-n për një muaj pasi ishin ndarë. I pyeta nëse kishte lidhje me zhdukjen dhe mu betua (që Ilaria është gjallë) se nuk do t’i kishte bërë asnjë dëm, se e donte Ilaria-n,” rrëfen Flamur Sula.

Gjatë ditëve kur nuk kishte lajme për Ilaria-n, Mark Samson dërgoi mesazhe nga telefoni i vajzës, duke bërë të dukej sikur ajo ishte larguar vullnetarisht. Vëllai i Ilaria-s, Leone, e lokalizoi celularin e saj në shtëpinë e Mark-ut dhe e raportoi tek hetuesit, të cilët më pas morën një deklaratë ku i riu pranonte krimin. Trupi i Ilaria-s u gjet më 2 prill në një valixhe të hedhur. Në fshehjen e trupit dhe pastrimin e vendit të krimit ndihmoi nëna e Mark-ut, e cila ka marrë tashmë një dënim prej dy vitesh.

Babai dhe nëna e Ilaria-s nuk kanë pranuar kurrë kërkesat e faljes nga gruaja:

“Me çfarë guximi kërkon falje pasi ka pastruar gjakun e vajzës sonë dhe e ka shkelur me këmbë?”

Prindërit kujtojnë me dhimbje ditët e tmerrshme të zhdukjes së vajzës së tyre deri në gjetjen e trupit të saj.

“Si e kam prekur herën e parë kur lindi, e rregullova me duart e mia në ditën e fundit. Desha ta laj me duart e mia, ta prek trupin e saj. I thashë burrit: Dua t’i blej një fustan princeshës sonë, sepse ishte princesha e shtëpisë. Shkova ta bleja fustanin dhe këpucët,” rrëfen Gezimja, e cila çdo ditë viziton varrin e vajzës: “Shkoj çdo ditë. Ulem dhe i flas për ëndrrat që nuk arriti t’i realizojë. Ajo mezi priste të përfundonte studimet. Sot është Ilaria që më jep forcë të vazhdoj jetën, jam këtu për të kërkuar drejtësi për të.”

Tani, për Gezime dhe Flamur Sulajn mbetet vetëm lufta për drejtësi: “Jeta jonë ka ndryshuar krejtësisht. Tani nuk jetojmë më, thjesht mbijetojmë. Vazhdojmë për Leonin tonë dhe për drejtësi për Ilaria-n. Buzëqeshja nuk do të kthehet më në fytyrat tona, por Ilaria duhet të ketë drejtësi.”/L.F-dritare.net