Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Marta Kos: Ja kur do futet Shqipëria në BE!

Marta Kos: Ja kur do futet Shqipëria në BE!

Shqipëria mund të bëhet pjesë e Bashkimit Evropian edhe përpara vitit 2030, një afat i përmendur më herët nga kryeministri Edi Rama si objektiv i qeverisë së tij. Deklarata u bë nga komisionerja evropiane për zgjerimin, Marta Kos, gjatë një bisede në Atlantic Council, ku ajo foli për perspektivën e vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe progresin e tyre drejt anëtarësimit.

Gjatë diskutimit, Kos veçoi Malin e Zi dhe Shqipërinë si dy vendet që kanë bërë përparimin më të dukshëm në procesin e integrimit. Ajo theksoi se, megjithëse Bashkimi Evropian zakonisht nuk vendos data konkrete për anëtarësimin, objektivat ambicioze janë të mirëpritura dhe të mundshme nëse vendet përmbushin reformat e kërkuara.

“Ne zakonisht nuk vendosim data në procesin e anëtarësimit, sepse gjithçka varet nga meritat dhe rezultatet konkrete. Por sigurisht, mbështesim objektiva ambicioze. Është e mundur që Mali i Zi të mbyllë kapitujt dhe të bëhet anëtari i 28-të i Bashkimit Europian. Po ashtu, është e mundur që Shqipëria të bëhet anëtare deri në vitin 2030 ose edhe më herët,” tha Kos.

Ajo përmendi gjithashtu se procesi i zgjerimit mund të përfshijë edhe vende të reja kandidate në të ardhmen, duke shtuar se e pret me interes këtë zhvillim.

Në fund të diskutimit, komisionerja u pyet edhe për një propozim të fundit të bërë nga presidenti serb Aleksandar Vuçiç dhe kryeministri shqiptar Edi Rama, të cilët sugjeruan një formë të ndërmjetme integrimi, si pjesëmarrja në Schengen ose në tregun e përbashkët pa të drejta të plota anëtarësimi.

Kos e hodhi poshtë këtë ide, duke theksuar se nuk ekziston një anëtarësim “light”.

“Nuk ka anëtarësim ‘light’. Ose je anëtar dhe i gëzon të gjitha të drejtat, ose nuk je. Roli im është të ndihmoj vendet të bëhen anëtare të plota. Nëse një vend përmbush të gjitha reformat dhe kriteret, ai duhet të bëhet anëtar i plotë i Bashkimit Evropian,” deklaroi ajo.

Deklaratat e komisioneres vijnë në një moment kur Shqipëria ka intensifikuar procesin e negociatave dhe synon mbylljen e tyre brenda vitit të ardhshëm, duke e afruar më shumë vendin drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian./K.C/dritare.net