Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Mbledhja e Bordit të Paqes në SHBA, Edi Rama: Shqipëria pjesë e një kapitulli të ri global

Mbledhja e Bordit të Paqes në SHBA, Edi Rama: Shqipëria

Në podkastin e sotëm, kryeministri, Edi Rama, foli për mbledhjen inauguruese të Bordit të Paqes në Uashington ku përcolli publikisht shqetësimin e Shqipërisë lidhur me procesin gjyqësor ndaj ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, dhe ish-udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Hagë. Kreu i qeverisë theksoi se shpreson që rritja e sensibilizimit ndërkombëtar për këtë çështje të ndikojë në mënyrën se si do të trajtohet procesi nga drejtësia ndërkombëtare. Rama nënvizoi gjithashtu se pjesëmarrja e Shqipërisë në Bordin e Paqes përfaqëson një moment të rëndësishëm për vendin, duke e cilësuar atë si një tryezë ku po hapet një kapitull i ri në arkitekturën globale.

Në vijim, ai publikoi edhe fjalën e plotë mbi pjesëmarrjen e Shqipërisë në mbledhjen e parë të këtij forumi ndërkombëtar.

"Vizita në Uashington për mbledhjen inauguruese të Bordit të Paqes ishte padyshim momenti më i veçantë i kësaj jave. Shqipëria u ul me krenari në një tryezë ku po hapet një kapitull i ri në arkitekturën globale, si anëtare themeluese e Bordit të Paqes.

Më vjen mirë natyrisht për jehonën e fjalës që mbajta në emër të Shqipërisë, ku konfirmova edhe pjesëmarrjen e vendit tonë në forcën ndërkombëtare të stabilizimit në Gaza, po mbi të gjitha përcolla botërisht shqetësimin tonë kombëtar për maskaradën e pabesueshme të Drejtësisë Ndërkombëtare në Hagë, ndaj Hashim Thaçit e çlirimtarëve të Kosovës.

Kam besim se niveli i ri i sensibilizimit lidhur me atë gjykatë, deri më sot, pa asnjë standard demokratik, ku akuza dështoi me turp të provonte se UÇK ishte një sipërmarrje kriminale dhe u lëshua në fund e dëshpëruar me kërkesën mizore për 45 vjet burg për Hashim Thaçin dhe tre udhëheqësit e tjerë të luftës çlirimtare, do të ndikojë në përgjegjshmërinë e trupës gjykuese, e cila duhet të zgjedhë mes drejtësisë për Kosovën dhe turpit të njollosësve të Kosovës, pafajësisë së çlirimtarëve dhe poshtërsisë së përndjekësve të tyre, dinjitetit të një gjykate dhe vetëpërdhosjes së saj përfundimtare", tha Rama./K.C./dritare.net