Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Ministri Vengu: 58.9 miliardë lekë për modernizimin e ushtrisë, teknologji dhe siguri kombëtare

Ministri Vengu: 58.9 miliardë lekë për modernizimin e

Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, prezantoi sot në Kuvend planin buxhetor të Ministrisë së Mbrojtjes për vitin 2026, i cili parashikon 58.9 miliardë lekë, një rritje prej 12% krahasuar me një vit më parë. Fondet do të shpërndahen në disa sektorë kyç, duke filluar nga modernizimi i forcave të armatosura, investimet në teknologji, mbrojtja kibernetike, rekrutimi i të rinjve, si dhe emergjencat civile.

Sipas Vengut, prioritet i qeverisë mbetet forcimi i kapaciteteve mbrojtëse të vendit dhe rritja e kontributit në NATO.

“Ky buxhet mbështet modernizimin e forcave të armatosura, rritjen e kontributit tonë në NATO dhe sigurinë rajonale,” tha ministri, duke theksuar se 29 miliardë lekë do të shkojnë për investime kapitale, gjysma e të cilave janë të dedikuara për teknologji dhe modernizim të industrisë ushtarake.

Rekrutime rekord dhe fokus te të rinjtë

Ministri njoftoi se viti 2025 ka shënuar një rekord me 721 rekrutë të rinj, ndërsa mbështetja financiare do të vijojë për të garantuar cilësi në rekrutimin e ardhshëm.

“Po hapim karrierën ushtarake për profesionistë të rinj, përmes kurrikulave moderne dhe bashkëpunimit me botën akademike,” u shpreh Vengu, duke theksuar se shteti synon të forcojë lidhjen me rininë.

Modernizim teknologjik dhe industria ushtarake

Një pjesë e rëndësishme e buxhetit synon digjitalizimin e njësive të luftimit, për t’i pajisur ato me sisteme të reja komunikimi, sensorë dhe mjete të komandim-kontrollit.

Ministri tha se industria ushtarake po kthehet në realitet, duke paralajmëruar hapjen e prodhimit të municioneve brenda pak muajsh.

Emergjencat civile, investime të reja

Për emergjencat civile janë parashikuar 4.3 miliardë lekë, që përfshijnë ngritjen e dy qendrave të reja rajonale, blerjen e dy avionëve zjarrfikës dhe investime në teknologji parandaluese.
Do të ketë gjithashtu një rishpërndarje fondesh për bashkitë e vogla si Fushë-Arrëz, Delvinë dhe Finiq, të cilat shpesh përballen me mungesë kapacitetesh në menaxhimin e emergjencave.

Vengu theksoi se buxheti i ri synon të garantojë një ushtri më moderne dhe një vend më të mbrojtur:
“Ky është një buxhet angazhimi që Shqipëria të jetë më e përgatitur, më e mbrojtur dhe më e respektuar,” përfundoi ministri./L.F-dritare.net