Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

15 muaj pas vrasjes së Egli Progës, të gjithë të akuzuarit jashtë qelisë për shkak të vonesave të Prokurorisë

15 muaj pas vrasjes së Egli Progës, të gjithë të

Pesëmbëdhjetë muaj pas vrasjes së rëndë të 42-vjeçarit Egli Proga në Pogradec, sot asnjë prej pesë personave të akuzuar për ngjarjen nuk ndodhet në qeli. Tre ditë më parë, Gjykata e Korçës vendosi që edhe dy të dyshuarit kryesorë për vrasje, Leonidha Guçe dhe Denis Meçe, të lënë paraburgimin dhe të hetohen në “arrest shtëpie”, pasi Prokuroria e Korçës ka shkelur afatet ligjore të hetimeve.

Ndërkohë, Arjan Manellari, si dhe vëllezërit Voltan e Andi Shkulaku, të akuzuar për moskallëzim krimi dhe ndërhyrje në provat filmike, po hetohen prej kohësh nën masën “detyrim paraqitjeje”.

Hetimet, të bllokuara nga pamjet e fshira të kamerave

Vrasja ndodhi më 10 gusht 2024 në lokalin “Stropcka” në Pogradec, por Prokuroria e Korçës ende nuk ka përfunduar hetimet. Ngërçi kryesor ka mbetur te pamjet e kamerave të sigurisë, të cilat janë fshirë dhe janë dërguar jashtë Shqipërisë për rikuperim. Deri tani vetëm një pjesë e tyre është arritur të rikthehet.

Sipas dosjes hetimore, pamjet dyshohet se janë fshirë nga pronari i lokalit, Voltan Shkullaku, së bashku me Leonidha Guçen dhe Arjan Manellarin, duke përdorur një virus kompjuterik.

Akuza e rëndë: Vrasje me dashje në bashkëpunim

Fillimisht Leonidha Guçe ishte hetuar vetëm për moskallëzim krimi, por pas 9 muajsh Prokuroria e përfshiu në akuzë si bashkëautor të rrahjes fatale. Sipas rrëfimit të të pandehurve dhe ballafaqimeve në paraburgim, Proga është goditur fillimisht brenda lokalit nga Guçe, ndërsa jashtë lokalit është përplasur me grusht nga Denis Meçe, çka çoi në përplasjen e kokës së tij me një makinë të parkuar dhe më pas në asfalt.

Ekspertiza mjekoligjore përcaktoi si shkak të vdekjes hemorragjinë në cipën e trurit dhe në indin trunor, të shkaktuara nga goditjet e forta në kokë.

Ngjarja që tronditi qytetin dhe nxit reagim publik

rasja e Egli Progës, babai i dy fëmijëve, dhe mënyra se si u trajtua çështja nga autoritetet shkaktoi indinjatë të madhe në opinionin publik. Qytetarët dolën në protesta me qirinj dhe me fotot e Progës në duar, duke kërkuar drejtësi dhe dënimin e autorëve.

Ngjarja nisi pas një konflikti banal. Denis Meçe, nip i ish-drejtorit të Postës Shqiptare, Valter Gora, i kërkoi Progës t’i dridhte një cigare. Pas debatit që pasoi, situata degjeneroi në dhunë brenda dhe jashtë lokalit, duke përfunduar tragjikisht me humbjen e jetës së 42-vjeçarit.

Familja pret drejtësi, ndërsa autorët hetohen në liri

Aktualisht, të dy të pandehurit për vrasje me dashje, Guçe dhe Meçe, do të ndjekin hetimet në “arrest shtëpie”, teksa hetimi për ngjarjen ka hyrë në muajin e 16-të. Familja e Progës dhe qytetarët e Pogradecit presin të shohin nëse procesi do të çojë në drejtësi apo do të zvarritet më tej./L.F-dritare.net