Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Ndryshime në drejtimin e ARRSH dhe KESH pas hetimeve të SPAK

Ndryshime në drejtimin e ARRSH dhe KESH pas hetimeve të SPAK

Gentian Gjyli është larguar nga posti i drejtorit të Autoritetit Rrugor Shqiptar (ARRSH), pasi ndodhet nën masën e sigurisë “arrest shtëpie” me vendim të Gjykatës së Posaçme (GJKKO), në kuadër të hetimeve të SPAK për veprën penale “shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera”. Në vend të tij, në krye të ARRSH është emëruar Ami Kozeli.

Ami Kozeli është liruar nga detyra e zëvendësministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë dhe ka marrë drejtimin e ARRSH-së. Ai do të vijojë të jetë në varësi institucionale të zv/kryeministres dhe ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku.

Ndërkohë, edhe në Korporatën Elektroenergjetike Shqiptare (KESH) ka pasur ndryshim drejtuesi. Viola Haxhiademi është emëruar në krye të KESH, duke zëvendësuar Erald Elezin, i cili gjithashtu ndodhet në “arrest shtëpie” me vendim të GJKKO-së, i akuzuar për “shkelje të barazisë në tendera”.

Viola Haxhiademi ka një eksperiencë të gjatë në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë, ku ka shërbyer prej vitesh si drejtoreshë e Kabinetit të Ministres dhe, që prej vitit 2019, si Sekretare e Përgjithshme e kësaj ministrie. Edhe ajo, ashtu si Kozeli, do të vijojë të jetë në varësi të zv/kryeministres Balluku.

SPAK akuzon Erald Elezin për shkelje të barazisë në tendera në lidhje me dy procedura me vlerë rreth 210 milionë euro: ndërtimin e Tunelit të Llogarasë dhe lotin 4 të Unazës së Madhe. Elezi ka qenë Drejtor i Planifikimit Strategjik dhe Operacioneve në ARRSH në kohën e tenderit të Llogarasë, si dhe anëtar i Komisionit të Vlerësimit të Ofertave për tenderin e Unazës së Madhe.

Nga ana tjetër, Gentian Gjyli akuzohet nga SPAK për “shkelje të barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, ndërsa masa e sigurisë ndaj tij lidhet konkretisht me procedurën e Tunelit të Llogarasë.

Lëvizjet e fundit në drejtimin e institucioneve kyçe të infrastrukturës dhe energjisë vijnë në një moment kur hetimet e SPAK ndaj zyrtarëve të lartë për tendera publikë po sjellin pasoja direkte në strukturat drejtuese të administratës shtetërore./L.F-dritare.net